Milani me shumë lehtësi e kalon pengesën e quajtur Slavia e Pragës, Kuqezinjtë e sigurojnë çerekfinalen e Ligës së Evropës - NACIONALE

Milani me shumë lehtësi e kalon pengesën e quajtur Slavia e Pragës, Kuqezinjtë e sigurojnë çerekfinalen e Ligës së Evropës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjiganti italian, Milan, ka kaluar me shumë lehtësi 1/8 e finales së Ligës së Evropës, duke siguruar një vend në çerekfinale, pasi triumfoi me rezultat të përgjithshëm 7:3 ndaj Slavia Pragës.

Kuqezinjtë nuk ishin kaq bindës që në takimin e parë, pasi edhe pse fituan 4:2, mbeti hapur gjithçka për ndeshjen e kthimit, por skuadra e Stefano Piolit, luajti shumë më mirë si mysafire.

Tani në ndeshjen e zhvilluar në Fortuna Arena, skuadra më e trofeshme italiane sa i përket garave evropiane, fitoi me rezultat 3:1.

Për vendasi filloi gjithçka keq kur mesfushori Tomas Holes u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 20-të, për t'u krijuar një diferencë numerike në fushë.

Këtë e shfrytëzuan milanistët, pasi me anë të Christian Pulisic, kaluan në epërsi 1:0 në minutën e 33-të, me Rafael Leao që ishte në rolin e asistuesit.

Vetëm tre minuta më vonë, Theo Hernandez asistoi për Loftus-Cheek, i cili realizoi për 2:0.

Deri në fund të pjesës së parë, Milani shënoi edhe të tretin, me golin që erdhi në minutat shtesë të kësaj pjese dhe mbante firmën e Rafael Leaos.

Krejt çfarë vendasit bënë në këtë takim ishte një gol i vonshëm në pjesën e dytë, i shënuar nga Matej Jurasek, për rezultatin përfundimtar të natës së sotme 3:1 dhe rezultatit të përgjithshëm 7:3.

Milani tani e pret kundërshtarin e radhës në çerekfinale dhe atë do ta mësojë në shortin që hidhet nesër.

Lajme të ngjashme