Milani me një këmbë në 1/8 e finales në Ligë të Evropës, e mposht bindshëm Rennesin - NACIONALE

Milani me një këmbë në 1/8 e finales në Ligë të Evropës, e mposht bindshëm Rennesin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Milani ka shënuar fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj skuadrës franceze Rennes me rezultat 3:0, në kuadër të Ligës së Evropës, për t'iu afruar shumë kalimit në 1/8 e finales.

Kuqezinjtë përfunduan në vendin e tretë në Ligë të Kampionëve dhe si rrjedhojë vazhduan në garën e dytë më të rëndësishme evropiane për klube.

Siç dihet nga formati, skuadrat e vendeve të treta të Ligës së Kampionëve përballen me vendet e dyta të Ligës së Evropës në një play-off, ku fituesit sigurojnë një biletë për në 1/8 e finales, aty ku presin skuadrat fituese të grupeve në këtë garë.

Përballja e sotme në San Siro nuk ishte aspak e barabartë, pasi skuadra e Stefano Piolit ishte dukshëm më e mirë në fushë, duke pasur posedim dhe krijuar raste për gol vazhdimisht.

Goli i parë i takimit u shënua në minutën e 32-të, me Florenzin që harkoi bukur në zonë dhe më bukur shënoi Loftus-Cheek, për 1:0.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat minimal, me Milanin që shënoi edhe dy herë të tjera në 45 minutat e dyta.

Me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 47-të, Kjaer tentoi të shënonte, por goditja e tij u ndal nga portieri dhe nga topi i kthyer ishte mefushori anglez, Loftus-Cheek, që shënoi golin e dytë personal, për rezultatin 2:0.

Vetëm gjashtë minuta më pas u shënua edhe goli i tretë i takimit. Leao pasoi shumë bukur te Hernandez në krahë, me këtë të fundit që ktheu topin në zonë, ndërsa ishte portugezi që shënoi për 3:0.

Me këtë rezultat përfundoi takimi dhe Milani tashmë është me një këmbë në 1/8 e finales së Ligës së Evropës, me ndeshjen e kthimit që zhvillohet pas një jave, saktësisht më 22 shkurt.

Lajme të ngjashme