Milani i falet sërish Giroudit, arrin fitore në frymën e fundit ndaj Spezias
Kampioni i Italisë, Milani, me shumë mund ka arritur të fitojë ndaj Spezias në minutat e fundit me golin e Giroud, për rezultatin 2:1, për të mos i zhgënjyer tifozët e pranishëm në San Siro.
Kuqezinjtë po vinin në këtë ndeshje pas një fitoreje shumë të rëndësishme në Ligën e Kampionëve kundër Salzburgut, ku siguruan kualifikimin në fazën e eliminimit direkt, por në Serie A erdhi pas një humbje të hidhur.
Para një jave pësuan humbje nga Torino me rezultat 2:1, ndërsa tani kthehen tek fitoret falë golit të veteranit francez, Oliver Giroud.
Milani ishte më e mirë në përgjithësi në këtë takim, duke poseduar topin dhe krijuar më shumë raste të rrezikshme për gol.
Golin e parë e shënuan skuadra milaneze, ku pas një harkimi nga Ismael Benacer, topin e pranoi mirë mbrojtësi francez, Theo Hernandez, i cili shënoi lehtësisht gol në shtyllën e parë për 1:0 në minutën e 21-të. VIDEO KËTU
Ky gol mori shumë kohë për verifikim nga VAR-i, pasi ishte në pyetje milimetrash pozicioni i Hernandez, por që pas një pritje prej katër minutash goli u verifikua.
Me këtë rezultat dy skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.
Pjesa e dytë sërish ishte më e dominuar nga Milani, por që edhe sulmet nga skuadra mysafire u shtuan, duke u treguar të rrezikshëm në disa raste.
Ishte minuta e 59-të kur u barazua gjithçka me golin e Daniel Maldini, i cili shënoi një gol mjaft të bukur ish-skuadrës së tij, nga e cila është dërguar në huazim te Spezia deri në verën e vitit të ardhshëm.
Milani arriti të kundërpërgjigjej shumë shpejt me anë të një goli të jashtëzakonshëm nga Sandro Tonali, por goli u anulua nga VAR, pasi paraprakisht një futbollist i kampionit në fuqi kishte shkaktuar ndërhyrje të palejueshme përgjatë aksionit. GOLI I ANULUAR
Me golin e anuluar, rezultati mbeti ai i minutës së 59-të, pra 1:1 deri në minutat e fundit kur në skenë doli Giroud.
Ai një minutë para fundit të takimit shënoi një gol mjaft të bukur për t’ia sjellë skuadrës nga Milano pikët e plota me fitoren 2:1.
Tani Milani është e dyta në tabelë, vetëm pas Napolit e cila është në vendin e parë me gjashtë pikë më shumë.
