Milani e do Armando Brojën, e sheh si të përkryer për sistemin e lojës së vet
Milani është duke menduar ta blejë sulmuesin e talentuar shqiptar të Chelseat, Armando Broja, pasi drejtuesit e klubit besojnë se ai i përshtatet shumë mirë sistemit të lojës së tyre.
Përfaqësuesi i Shqipërisë e kaloi sezonin e kaluar në huazim te Southamptoni, për të cilin i shënoi gjashtë gola në 21 ndeshje dhe i ndihmoi ta shmangë rënien nga Premierliga.
Broja dukej afër largimit nga Stamford Bridge në verë, sidomos pas një oferte të majme nga West Hami, por trajneri i atëhershëm i Chelseat Thomas Tuchel vendosi ta mbante në skuadër sulmuesin shqiptar.
Pasi debutoi për klubin në shkurt të vitit 2020, Broja e provoi si ishte ndjesia e të qenit titullar në fillim të këtij sezon falë besimit që Tuchel kishte në të.
Megjithatë, sipas CalioMercato, Milani ka besim se mund të arrijë marrëveshje për 21-vjeçarin, megjithëse Broja ka kontratë gjashtëvjeçare me Chelsean.

Milani është në kërkim të një sulmuesi për të ardhmen për shkak se sulmuesit që i ka në dispozicion janë duke u moshuar.
Trajneri i kuqezinjve Stefano Pioli beson se Broja do t’i përshtatej shumë mirë skemës së lojës së tij.
Olivier Giroud është duke kaluar në të shkëlqyer për kuqezinjtë, por ai është pothuajse 36-vjeçar, ndërsa Zlatan Ibrahimovic është 41-vjeçar tashmë dhe gati tërë kohën i lënduar.
Blerja e re nga Liverpooli, Divock Origi, nuk ka bindur dhe ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje si titullar në Serie A.

