Milan fiton me vuajtje dhe vazhdon ta ndjekë ëndrrën drejt titullit
Milan fitoi me rezultat 1 me 0, falë golit të shënuar jashtë zonës së rreptësisë nga Pierre Kalulu, që e mban me shpresë Milanin në rrugën drejt scudettos.
FT: Milan 1-0 Empoli (Pierre Kalulu 19')
Milani gjeti rrugë e golit falë goditjes jashtë zonës së rreptësisë nga Pierre Kalulu, i cili pa u menduar shumë, goditi nga pozita ballore në një distancë prej afro 20 metrave.
Pjesa e parë nuk ofroi shumë raste shënimi, me Milan që dominoi përgjithësisht, duke qenë si ekip më kërkues në fushë. Ndërsa fillimi i pjesës së dytë e gjeti Empolin në ngritje sa i përket lojës, por pa qenë shumë konkrete në aksionet sulmuese që i ndërtoi.
Në minutën e 71-të, lojtari i rëndësishëm i kombëtares kuq e zi, Nedim Bajrami, ndjehu dhimbje në kofshën e këmbës së djathtë, për t'u larguar nga fusha. Mbetet për t'u parë se për çfarë shkalle të lëndimit bëhet fjalë. Në këtë ndeshje nga minuta e parë startoi po ashtu edhe Kristjan Asllani, lojtari tjetër i kombëtares kuq e zi, që regjistroi paraqitjen e tij të gjashtë radhazi në kampionat si titullar, me ç'rast sonte 20 vjeçari shqiptar luajti minutat e plota, pa u zëvendësuar fare.
Gjatë pjesës së dytë u inkuadrua edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili po përpiqet ta rigjejë formën e tij më të mirën në dy muajt e fundit që do ta përcaktojë fatin e titullit në Serie A.
FT: Sampdoria 1-3 Juventus (Sabiri 84'; Yoshida autogol 23', Morata 34', 88')
Juventus ka arritur të sigurojë fitoren e tretë radhazi në kampionat, për ta ngushtuar diferencën në -4 pikë me kreun e tabelës, në pritje të ndeshjeve tjera.
Ekipi i drejtuar nga Massimiliano Allegri, edhe sot ka arritur të fitojë në mënyrë pragmatike, ani pse pa e dominuar lojën, po duke u treguar klinik para portës. Maya Yoshida e dërgoi ekipin torinez në epërsi me anë të autogolit, kurse pas 11 minutave u përkujdes Alvaro Morata që ta dyfishonte epërsinë, përmes ekzekutimit të penaltisë.
Pak para fundit të ndeshjes Sampdoria u mundua të rikthehet në lojë me anë të golit të shënuar nga Abdelhamid Sabiri, por nuk mjaftoi për t'ia rrezikuar 3 pikët e radhës Juventusit. Në këtë takim Antonio Candreva humbi penaltinë e akorduar në minutën e 74-të, kur rezultati ishte 0 me 2. Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i dytë në ndeshje i sulmuesit spanjoll, Alvaro Morata, njëherit i 8-ti në kampionat.
Gjithashtu, për Juventus kjo ishte hera e parë që nuk u aktivizua Dusan Vlahovic që nga fillimi i ndeshjes.
FT: Spezia 2-0 Cagliari (Erlic 55', Rey Manaj 74')
Sulmuesi shqiptar, Rey Manaj, ishte ai që vulosi fatin e ndeshjes mes Spezias dhe Cagliarit, për t'ia siguruar tri pikë të arta trajnerit, Thiago Motta. Pas një topi që sillej nga krahu i majtë në këmbët e Kovalenko, në mënyrë të pavullnetshme topi përfundoi në zonë të rreptësisë, ku më së miri u gjend Rey Manaj, duke bërë një lëvizje mashtruese, për të goditur më pastaj me këmbën e majtë drejt cepit të djathtë të shtyllës pingule.
Ky ishte goli i tij i tretë në pesë paraqitjet e tij të fundit në Serie A.
Cagliari u ankua në referim, por tri pikët në fund i mori Spezia, që triumfoi në garën direkte për mbijetesë.