Milaim Rama: Shumë vështirë ndaj Zvicrës, por shansi i fundit që Kosova të mbetet në garë për kualifikim - NACIONALE

Milaim Rama: Shumë vështirë ndaj Zvicrës, por shansi i fundit që Kosova të mbetet në garë për kualifikim

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Kombëtarja e Kosovës do ta ketë të vështirë ta mposhtë Zvicrën, por “Dardanët” duhet t’i fitojnë pikët e plota nëse duan të mbesin në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, kështu ka deklaruar për Gazetën Nacionale ish futbollisti shqiptar Milaim Rama.

Rama që pjesën më të madhe të karrierës e kaloi te FC Thun ka treguar se nuk do të jetë aspak lehtë për Kosovën duke marrë parasysh rezultatet e fundit negative, mirëpo që beson plotësisht se djelmoshat tanë do të japin maksimumin.

Fillimisht, për Nacionalen – Rama tha se pret një sfidë shumë pozitive ashtu siç na ka hije dhe që të gjithë do të dalin të lumtur nga stadiumi “Fadil Vokrri”.

Pritshmeritë e mia janë shumë pozitive. Uroj që kjo ndeshje të shkoj mbarë siç na ka hije dhe sigurisht pjesa tjetër do të jetë lojë emocionale, sidomos nga pjesa zvicerane që mbrojnë ngjyrat helvetike ku lojtarët shqiptarë do të zbresin për herë të parë në terrenin dardan, ku besoj se kjo lojë do të jetë spektakël dhe në fund të dalim të gjithë të gëzuar nga “Fadil Vokrri”, edhe pse ndeshja është për t’u kualifikuar ndaj një kundërshtari që është në vendin e parë edhe e dimë kualitetin e kombëtares zvicerane”.

Sidoqoftë, Kosova nuk do ta ketë aspak të lehtë ta fitojë përballjen ndaj “Helvetikëve” mirëpo nëse nuk e bën atëherë mund të thuhet se me kaq merr fund ‘ëndrra’ për t’u kualifikuar në fazën tjetër.

Sigurisht do të jetë shumë e vështirë, për shkak që Zvicra nuk ka arkëtuar të gjitha pikët e mundshme andaj ka besim të plotë edhe pse luan si mysafir në Prishtinë. Ndërsa, te Kosova rezultatet e fundit nuk na kanë dhënë shenja pozitive, por kjo lojë edhe mund të jetë “shansi i fundit” që të besojmë për një kualifikim”.

Do të jetë e vështirë ndaj Zvicrës, por në futboll është gjithçka e mundur prandaj besoj se djelmoshat kosovarë do ta japin maksimumin dhe ta nxjerrin të gjithë kualitetin, cilësinë dhe angazhimin që Zvicrës t’ia vështirësojmë këtë lojë. Këtë do ta dimë pas 90-100 minutave lojë, skuadra që do të jetë më e përgatitur si fizikisht ashtu edhe psiqikisht do ta kalojë me lehtësi. Uroj që të fitoj skuadra më e mirë në terren”.

Rama për dallim nga herët e tjera refuzojë të jap ndonjë prognozë për rezultatin, duke shtuar se do të jetë i pranishëm në “Fadil Vokrri" për ta shikuar nga afër.

Është vështirë që të jap një rezultat. Kam dhënë disa herë parashikime por nuk dua ta bëj këtë herë. Dëshiroj ime dhe pjesa tjetër është që do të jem në stadium dhe ta shijoj këtë lojë me shumë kënaqësi”.

Futbollisti i parë shqiptar që përfaqësoi Zvicrën në Kampionat Evropian nënvizoi se Kosova ka gjasa duhet për t’u kualifikuar, mirëpo që është e domosdoshme e fitorja e të shtunës mbrëma.

Në anën teorike ende kemi gjasa, por nëse do të kemi humbje kundër Zvicrës atëherë edhe unë jam i mendimit që gjasat do të shuhen. Por nëse mposhtim Zvicrën, gjasat ende ekzistojnë. Besoj se djelmoshat do ta dinë dhe gjatë këtyre ditëve do të punojnë, të angazhohen sepse kjo është loja vendimtare për të na orientuar në drejtimin e tabelës, pra të shkojmë në pjesën e sipërme apo në të kundërtën. Besoj dhe uroj që të mos zhgënjehemi kësaj here”.

Ish ylli i Thun në fund rikujtoi kohën kur mori ftesën nga Zvicra, si dhe i dha një mesazh të qartë futbollistë që ende po hezitojnë t’i bashkohen Kosovës duke treguar shembullin më të mirë, pra vajzën e tij Alketën që ka zgjedhur fanellën ‘dardane’ para ‘helvetikëve’.

Në 2003, Kosova nuk ka qenë e pranuar në UEFA dhe FIFA, pra nuk kam pasur mundësi. Edhe qysh në vitin 2003, Zvicra pas atyre sukseseve të mija që i kisha me FC Thum, selektori mendoi për mua dhe ashtu unë si Milaim Rama, shqiptari i parë e vesha fanellën e kombëtares helvetike dhe jam jashtëzakonisht krenar edhe jam munduar të jap maksimumin”.

E kam cekur edhe më parë e përmendi edhe tash jam mirënjohës për gjithë shqiptarët sepse kam pasur mbështetje morale ngase s’kanë mundur të jenë prezent në stadiume. Në Kampionatin Evropian 2004, unë jo vetëm që përfaqësova shtetin helvetik si shqiptari i parë por përfaqësova të gjithë shqiptarët në një kampionat evropian dhe kështu për të gjithë atë karrierë të bujshme jam krenar”.

Sa i përket mesazhit, unë do ta them vetëm një pra vajza ime Alketa veçse i mbron ngjyrat e Kosovës me shumë krenari. Është jashtëzakonisht e lumtur që ka mundur ta veshë fanellën e Kosovës dhe siç thotë Alketa, ëndrra jote s’është realizuar, por unë u bëra një lojtare e Kosovës. Një mesazh për prindërit dhe futbollistët shqiptarë, unë ju bëj apel që të gjithë talentët që janë të suksesshëm dhe Kosova duhet t’i ketë në brendësinë e vetë t’i ftoj dhe sa më parë që këta djelmosha ta ndihmojnë shtetin të jetë në një event të madh si Evropian apo Botëror”.

Për fund kujtojmë se Kosova do të përballet të shtunën me Zvicrën në ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.

Lajme të ngjashme