Mikel Arteta: Pas kësaj disfate ne besojmë edhe më shumë në titull
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, thotë se tani ka edhe më shumë besim se skuadra e tij mund ta fitojë titullin në Premierligë, pavarësisht se pësoi disfatë 3:1 kundër rivalit Manchester City në Stadiumin Emirates të mërkurën.
Kjo humbje nënkupton se City tani është lider i ri i Premierligës falë goldallimit më të mirë se Arsenali.
“Ata ende besojnë, mund ta ndiej këtë. Ata ndiejnë se mund ta arrijnë këtë”, tha Arteta i pyetur nëse ekipi i tij ende beson se mund ta fitojë titullin në ligë.
Pasi e mposhti Manchester Unitedin më 22 janar, Arsenali ishte lider me pesë pikë më shumë se City plus një ndeshje më pak të zhvilluar, por e ka fituar vetëm një nga nëntë pikët e mundshme që prej atëherë.
Në një betejë të egër ashtu siç pritej mes dy ekipeve të para në tabelë, Kevin de Bruyne e kaloi në epërsi ekipin vizitor duke e shfrytëzuar një top të kthyer mbrapa gabimisht nga Takehiro Tomiyasu në pjesën e parë.
Bukayo Saka e barazoi rezultatin në 1:1 nga penalltia, pas një faulli të portierit Ederson ndaj Eddie Nketiah, para se Jack Grealish dhe Erling Haaland të shënonin kah fundi i ndeshjes për t’ia fituar Cityt tri pikë shumë vendimtare në garë për titull.
“Tani kam më shumë besim seç kisha para kësaj ndeshje. Me paraqitjen dhe nivelin e lojës që bëri ekipi, ne ndienim se mund t’i mposhtnim ata”, nënvizoi Arteta.

“Por ne ua falëm tri gola atyre dhe ndeshjen në fund. Në këtë nivel nuk mund t’i bësh disa gabime të caktuara. Ata kishin tri raste dhe i shfrytëzuan, ne kishim shanse dhe nuk i shfrytëzuam”, shtoi ai.
Arsenali mund të rikthehet në krye të tabelës në Premierligë nëse e mposht Aston Villën të shtunën pasdite. City, ndërkohë, përballet me Nottingham Forest po ashtu të shtunën.
City dhe Arsenali do të takohen përsëri, këtë herë në Etihad, në muajin prill.
