Mikel Arteta ndër opsionet e Barcelonës për ta zëvendësuar Xavin - NACIONALE

Mikel Arteta ndër opsionet e Barcelonës për ta zëvendësuar Xavin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri Mikel Arteta është ndër kandidatët e Barcelonës për ta zëvendësuar Xavi Hernandezin.

Pas humbjes 3:5 në shtëpi ndaj Villarrealit, Xavi njoftoi në mënyrë befasuese se ka vendosur të largohet nga pozita e trajnerit sapo të përfundojë sezoni.

Gazetari i besueshëm Gerard Romero njofton se drejtuesit e katalunasve tashmë kanë nisur të shikojnë për pasuesin e Xavit, me Decon që tashmë ka diskutuar me agjentët e disa kandidatëve në javët e fundit.

Romero thotë se Arteta është ndër të preferuarit pranë emrave që përfaqësohen nga Jorge Mendes si Julian Nagelsmann e ndoshta edhe Jurgen Klopp, që të premten konfirmoi se do të largohet nga Liverpool.

Barcelona është admiruese e punës së Artetas që disa vite, ku në fakt tekniku spanjoll ishte opsion edhe kur shkarkuan Ronald Koemanin në tetorin e vitit 2021.

Megjithatë, Arteta thuhet se është i kënaqur te Arsenali, me të cilët po synon ta fitojë Premierligën ose Ligën e Kampionëve këtë sezon. Kujtojmë, ai vitin e kaluar nënshkroi një kontratë të re me londinezët, që e mban në “Emirates” së paku deri në verën e vitit 2025.

Largimi i Xavit ishte paksa befasues pavarësisht që kishte nisur t’i shtohet presioni pasi u eliminua nga Kupa e Mbretit, si dhe humbi në Superkupën e Spanjës ndaj Real Madridit.

Ai të shtunën deklaroi se katalunasve i duhet një dinamikë e re në mënyrë që lojtarët të ndihen të lirë.

“Mendoj se klubit i duhet një ndryshim dinamike. Për të mirën e lojtarëve, besoj se do të jenë më të lirë. Ne luajmë më shumë tension”.

“Për të mirën e bordit është më mirë që të largohem. Do të jap më të mirën (në muajt e mbetur). Ky është mesazhi që dua të jap. Mendoj se po bëj të duhurën”, deklaroi tekniku katalunas.

Lajme të ngjashme