Mikel Arteta thotë se e ardhmja e Granit Xhakës vendoset pas përfundimit të këtij sezoni
Trajneri i Arsenalit, Granit Xhaka, ka këmbëngulur se e ardhmja e Granit Xhakës do të vendoset vetëm pas përfundimit të këtij sezoni.
Xhaka ka qenë lojtar shumë i rëndësishëm në përpjekjet e Arsenalit për ta fituar titullin në Premierligë sivjet dhe ka vetëm edhe një vit kontratë në Emirates Stadium.
Bayer Leverkusen dëshiron ta marrë mesfushorin kosovar të Zvicrës këtë verë dhe së fundmi është raportuar se edhe vetë Xhaka dëshiron të kthehet në Gjermani, vendin ku luajti për katër vite në fanellën e Borussia Monchengladbach para se t’i bashkohej topçinjve më 2016.
Por trajneri i tij dëshiron që ta përfundojë sezonin fuqishëm në dy ndeshjet e mbetura para se vëmendjen ta zhvendosë në gjëra të tjera.
“Gjithçka është e qartë. Ai është lojtar që ka luajtur çdo minutë prej se unë jam këtu, mendoj”, tha Arteta për Xhakën.
“Ai është figurë jashtëzakonisht e nderuar në klub. Tregimi për të është madhështor falë asaj që ai ka arritur në klub duke kaluar nëpër çaste shumë të vështira dhe është pjesë kyçe dhe shumë e rëndësishme e jona”.

Ai shtoi: “Çfarëdo që ndodh është diçka që ne do ta bisedojmë, por natyrisht jo tani”.
Arsenali është përballur me kritika pas disfatës 3:0 kundër Brightonit në fundjavë në shtëpi, duke e lënë Manchester Cityn buzë titullit të pestë në gjashtë vitet e fundit.
Skuadra e Pep Guardiolës do ta mbrojë titullin këtë fundjavë, nëse Arsenali humb ndaj Nottingham Forestit të shtunën, apo nëse fiton vetë kundër Chelseat të dielën.
