Bashkëshortja Leonita luan rol kyç në largimin e Granit Xhakës nga Arsenali
Raportohet se bashkëshortja e Granit Xhakës, Leonita Lekaj, ka luajtur rol kyç në kalimin e pashmangshëm të mesfushorit shqiptar në Bayer Leverkusen.
Xhaka, përfaqësues kapiten i Zvicrës, do të largohet nga Arsenali gjatë kësaj vere, pas shtatë viteve të kaluara në Emirates.
29-vjeçari e ka gjetur formën më të mirë të karrierës këtë sezon dhe ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në luftën e skuadrës së Mikel Artetës për titull deri tani në Premierligë, por do të kalojë në Bundesligë sezonin e ardhshëm për një sfidë të re.
Sipas Sport Bild, bashkëshortja e tij Leonita ka ndihmuar që Xhaka ta zgjedhë klubin gjerman për të luajtur nga shtatori.
Leonita dhe Xhaka u takuan në Gjermani kur ky i fundit po luante për Borussia Monchengladbach para se të kalonte në Arsenal. Leonita u lind në Prishtinë, por migroi me familje në Gjermani kur ishte e vogël.
Xhaka pritet të nënshkruajë kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2027 dhe klubi gjermani do t’ia paguajë 15 milionë euro Arsenalit për shërbimet e mesfushorit nga Kosova.
Bild shkroi se Xhaka po ashtu ka biseduar disa herë me trajnerin e Leverkusenit, Xabi Alonso, para se ta merrte vendimin final.
