Ramirezi për Nacionalen kërkon rimeç: E meritova titullin, gjyqtarët favorizuan Florian Markun
Miguel Ramirez thotë se e meritoi titullin dhe akuzon gjyqtarët për favorizimin e Florian Markut në meçin e zhvilluar më 25 gusht 2022 në "Air Albania".
Boksieri meksikan Miguel Parra Ramirez thotë se e meritoi fitoren kundër Florian Markut, i cili u favorizua nga arbitrit gjatë një interviste për gazetën Nacionale.
Marku mori titullin e dytë në karrierë, atë të kategorisë WBC Silver Interim duke mposhtur Ramirezin me vendim të gjyqtarëve pas 10 raundeve të zhvilluara.
Beteja ishte tejet interesante dhe deri vonë shumë e baraspeshuar, por që në fund “Mbreti Shqiptar” mori fitoren e madhe duke ruajtur rekordin e të pamposhturit.
Mirëpo, Ramirez në një intervistë për Nacionalen thotë se vendimi s’ka qenë aspak i drejtë dhe që ai e meritoi fitoren pasi gjatë tërë meçit ka goditur Markun.
“Mendoj se e meritova fitoren pas goditjeve që ai ia humbi, rrëzimit dhe të gjithë betejës që bëri duke goditur Markun.”
Ai komentoi edhe vendimin e gjyqtarit për ta mbaruar raundin më herët, duke e kritikuar se ka mbrojtur Markun më shumë se ç’duhet.
“Po, jam në dijeni që arbitri përfundoi raundin më herët që ta mbrojë atë (Markun), u përfshi më shumë se ç’duhet në atë raund dhe në disa raunde të tjera i përfundoi para kohe.”

I pyetur se cila ishte diferenca që Marku u shpall kampion, Ramirez është i sigurt se shqiptari u favorizua duke përmendur edhe një rast, ku pretendon se një rrëzim më shumë i ishte shtuar nga gjyqtarët.
“Diferenca në këtë ndeshje lokaliteti, favorizimi dhe vendimi i dobët. Ne e fituam luftën shumë hapur edhe pse na u zbritën pikët, një rrëzim i im që nuk duhej të ishte në fund doli që ishte numëruar”.
Meksikani gjithashtu kërkoi një rimeç, por që të zhvillohet në një stadium neutral, ku beson që do ta fitonte titullin.
“Shpresoj për një rimeç. Nga ana ime unë do të doja ta luftoja në një vend neutral dhe ta fitoj titullin që është i imi.”
Ramirez nuk hezitoi të fleasë edhe për atmosferën në stadiumin “Air Albania”, duke shtuar se i kupton njerëzit që e mbështesin Markun dhe që nuk e ka aspak problem.
“E pëlqeva shumë atmosferën në “Air Albania”. Mendoj se njerëzit janë shumë të mirë dhe e kuptoj logjikën se ata duhet ta mbështesin bashkatdhetarin e tyre. Asnjëherë nuk e kam pasur problem për këtë.”

“Nuk dua të flas më shumë për Markun, mendoj që është luftues i mirë. Mendoj se kam dëshmuar që isha më i mirë atë natë dhe do ta kujtoj këtë.”
Në fund, Ramirez deklaroi se dëshiron ta luftojë sërish në Shqipëri në të ardhmen e afërt.
“Shqipëria ishte shumë e bukur. Do të doja të kthehesha në të ardhmen dhe të rijetoja momente të mëdha në rrugët e Shqipërisë dhe me njerëzit e saj”, përfundoi Ramirez për Nacionalen.
Kështu, Florian Marku tani ka dy tituj të kampionit të botës, duke pasur një rekord prej 13 ndeshjeve, 12 fitore, dhe një barazim.