Middlesbrough reagon fuqishëm kundër kërkesës ‘bizare’ të Chelseat, para çerekfinales së FA Cup
Middlesbrough ka reaguar kundër kërkesës ‘bizare’ të Chelseat, që ndeshja çerekfinale e FA Cup, të shtunën, të luhet prapa dyerve të mbyllura.
Chelseat iu ndalua shitja e biletave për ndeshje, të enjten e kaluar, pas sanksioneve nga qeveria angleze kundër Roman Abramovichit, i cili njihet si një prej oligarkëve që është i lidhur ngusht me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
‘Të Kaltërve’ iu lejua të garojnë vetëm përmes një lejeje të veçantë që u miratua nga qeveria britanike, e cila ia mundëson fansave, që tashmë i kanë blerë biletat sezonale, të përcjellin ndeshjet nga afër, por shitjet e reja të biletave – përfshirë ndeshjet si nikoqirë dhe ato si mysafirë – nuk janë lejuar.
Chelsea ka shitur 650 bileta, para vendimit për ‘ngrirje’ të shitjes, për ndeshjen – nga 4,620 të mundshmet – dhe klubi londinez beson tash se është në disavantazh sportiv dhe se një ndeshje prapa dyerve të mbyllura do të ishte “mënyra më e drejtë për të vazhduar në rrethanat aktuale.”
Federata Angleze ka konfirmuar se Chelsea e ka kontaktuar për të bërë kërkesën që ndeshja të luhet në stadium të zbrazët, një gjë të cilën Middlesbrough – klub i cili tashmë ka shitur të gjitha 30 mijë biletat e disponueshme – e ka quajtur “bizare” dhe “pa ndonjë meritë.”
Në komunikatën e ‘Boro’, shkruhet: “Të gjitha palët e përfshira i dinë arsyet pse Chelsea është dënuar dhe se kjo nuk ka të bëjë asgjë me klubin e Middlesbrough.
“Të sugjerohet, si rezultat, se Middlesbrough dhe fansat tanë duhet të penalizohen, jo që është vetëm e padrejtë, por pa ndonjë bazë gjithashtu.
"Duke pasur parasysh arsyet e këtyre sanksioneve, që Chelsea të kërkojë të thërrasë “integritetin” sportiv si arsye që loja të luhet me dyer të mbyllura, është ekstremisht ironike.
“Ne aktualisht po presim njoftim formal nga Federata Angleze për hapat e ardhshëm, por të jeni të sigurtë se Middlesbrough do t’i rezistojë veprimeve të Chelseat deri në masat më të rrepta.”
Grupi “Chelsea Supporters Trust” gjithashtu ka kërkuar nga klubi të tërheqë kërkesën, duke thënë se “loja prapa dyerve të mbyllura nuk është benefit për asnjë fans.” Grupi gjithashtu kërkoi nga qeveria të lehtësojë masat dhe t’u lejojë fansave të skuadrës londineze që të blejnë bileta.
Chelsea është futur në bisedime me “Zyrën e Implementimit të Sanksioneve Financiare” për çështjen e shitjes së biletave, por nuk ka arritur të gjejë një rrugëdalje deri më tash – dhe kërkesa që t’u jepen falas biletat fansave, ende nuk ka marrë përgjigje nga qeveria.
Në një komunikatë të publikuar në uebsajtin e klubit më herët të martën, shkruhej: “Është e rëndësishme për kompeticionin që ndeshja kundër Middlesbrough të shkojë tutje, mirëpo,
është me ngurrim ekstrem që po i kërkojmë bordit të Federatës Angleze të marrë vendimin që loja të luhet me dyer të mbyllura për çështje të integritetit sportiv.
“Chelsea FC e kupton se një vendim i tillë do të kishte impakt të madh te Middlesbrough dhe fansat e këtij klubi, poashtu edhe për fansat tanë, të cilët tashmë kanë blerë numrin e kufizuar të biletave që u shitën para se të merrej vendimi i licencës, por ne besojmë se kjo është mënyra më e drejtë që të vazhdohet në rrethanat aktuale.”
Middlesbrough, skuadër e cila mposhti Manchester Unitedin dhe Tottenhamin për të arritur në këtë fazë të garës, vazhdon të insistojë që një gjë e tillë të mos ndodhë, pasi konsideron se dënimet që janë implementuar kundër Chelseat, nuk kanë asgjë të bëjnë me klubin dhe kompeticionin në veçanti.
Rregullat e reja kufizojnë Chelsean që të shpenzojë vetëm 23 mijë euro për rrugë në ndeshjet si mysafir, por ‘Të Kaltërit’ po mundohen ta rrisin këtë shifër në diskutime me qeverinë.