Miami Heat – Boston Celtics, përballja e zjarrtë e finales në Konferencën Lindore
Është zhvilluar ndeshja e pestë finale në Konferencën Lindore, ndërmjet Miami Heat e Boston Celtics e ku triumfuan këta të fundit me rezultat 93:80, e me rezultat të përgjithshëm të serisë 3:2 për Celticsat.
Ashtu si Boston edhe Miami janë nga ato skuadra që aplikojnë lojë mbrojtëse të fortë, duke mos u shënuar shumë pikë në ndeshje, dhe kur përballen dy skuadrat ndoshta me mbrojtjen më të fortë në ligë këtë vit nuk ka se si të mungojë një ndeshje e fortë me shumë duele fizike.
Ndeshjen për një nuancë më mirë e nisi Miami Heat e ashtu edhe pritej shkaku i terrenit që i favorizonte si vendas. Edhe pse rezultati asnjëherë nuk thellohej dhe distanca më e madhe gjatë çerekut të parë ishte +5 pikë por edhe ajo u zbut pas 12 minutave lojë. Çereku i parë përfundoi një epërsi të vogël të skuadrës së Jimmy Butler me shokë, pra 19:17.
Edhe çereku i dytë nuk ishte më ndryshe, ndeshje e fortë e aplikuar në mbrojtje ashtu si në çerekun e parë bëri që sërish të kemi pak pikë të shënuara e sërish në këtë çerek fitues ishin Miami Heat me rezultat 23:20, kështu duke shkuar në pushim të pjesës së parë me rezultat 42:37.
Pika e kthesës për Celtics ishte çereku i tretë, në të cilën e demoloi Miamin. Skuadra e Ime Udokas po shënonte nga çdo pjesë e fushës e ata të Erik Spoelstras nuk kishin përgjigje. Pas 12 minutave të çerekut të tretë, epërsia për Bostonin po shënonte +11 pikë me rezultat total 69:58.
12-minutëshi i fundit, i cila dha edhe epilogun final të takimit i takoi sërish Bostonit, por që edhe në këtë çerek u shënuan shumë pak pikë, rezultati në semafor në fund të çerekut të katërt po shënonte 93:80 në të mirë të Bostonit, e që i bie se në periodën e fundit Jayson Tatum me shokë e fituan me +2 epërsi.
Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për të gjelbërit, pasi që fitorja në teren mysafir në NBA është një përparësi e madhe.
Më të mirët në këtë takim për Bostonin ishin dyshja Jayson Tatum dhe Jaylen Brown të cilët shënuan nga 25 dhe 22 pikë respektivisht, e Tatum ndihmoi edhe me 12 rebounds e nëntë asistime. Tek Miami nuk ishin të disponuar për lojë Bam Adebayo dhe Jimmy Butler të cilët shënuan vetëm 18 dhe 13 pikë secili.
Në këtë ndeshje skuadrës së Udokas iu bashkua Marcus Smart i cili nuk u paraqit në asnjë ndeshje deri më tani në këtë seri, dhe lojtar i tillë është një plus shumë i madh për një skuadër, si në aspektin sulmues ashtu edhe në atë mbrojtës.
Ndeshja e gjashtë ndërmjet këtyre dy skuadra zhvillohet në mëngjesin e së shtunës, dhe kjo ndeshje mund të jetë përcaktuese për finalen e madhe. Nëse Boston si skuadër vendase arrin të fitojë kalon tutje e në rastin tjetër do të kemi lojën e shtatë përcaktuese.
E në finalen e Konferencës Perëndimore janë zhvilluar katër ndeshje ndërmjet Golden State Warriors e Dallas Mavericks, ku po prijnë Luftëtarët me rezultat të përgjithshëm 3:1 e ndeshja në mëngjesin së premtes që zhvillohet në Chase Center të Kalifornisë mund të jetë fundi i një rrugëtimi të mirë për Dallasin e Luka Doncict, e për të cilët askush nuk ka besuar që mund të arrijnë deri në këtë pikë.