Messi: Sikur të ishte për para, do të shkoja në Arabi
Lionel Messi ka këmbëngulur se vendimi i tij për t’iu bashkuar Inter Miamit në Major League Soccer në Shtetet e Bashkuar nuk ka të bëjë me paratë.
Messi, 35 vjeç, njoftoi të mërkurën se do t’i bashkohet klubit amerikan, pavarësisht ofertave të majme nga klubet e tjera.
“Kam vendosur të shkojë në Miami. Vendosa të largohem nga Evropa”, tha Messi për gazetat Mundo Deportivon dhe Diario Sport.
Ai kishte ofertë tejet fitimprurëse nga Al Hilal në Arabinë Saudite, ndërsa kthimi në Barcelonë ishte i pamundur për shkak të rregullave financiare.
“Po të ishin paratë çështje, do të kisha shkuar në Arabi apo diku tjetër. Kishte shumë para. E vërteta është se vendimi im final ka të bëjë me diçka tjetër dhe jo me paratë”, këmbënguli Messi.
Besohet se klubi saudit i kishte ofruar Messit hiç më pak se rreth 1 miliard euro.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë kishte ofertë edhe nga një klub tjetër evropian, por nënvizoi se në Evropë do të luante vetëm për Barçën.
“E vërteta është se kisha oferta edhe nga një ekip tjetër evropian por as që e kam menduar bile, sepse në Evropë, ideja ishte të shkoja vetëm në Barcelonë”.
“Pasi e fitova Kupën e Botës dhe nuk qesh në gjendje të kthehem në Barçë, është koha të shkoj në MLS për ta përjetuar futbollin në mënyrë tjetër dhe për ta shijuar jetën e përditshme më shumë”, shtoi ai.

Për të primar ishte kthimi në Barcelonë, por kjo ishte e pamundur për shkak të telasheve financiare të klubit katalonas, pavarësisht zotimeve të presidentit Joan Laporta.
Rregullat e reja financiare të La Ligës ia bënë Barcelonës të pamundur çfarëdo plani për ta kthyer Messin në Camp Nou.
Ai ishte larguar nga Barcelona në verën e vitit 2021 pasi klubi nuk ishte në gjendje ta regjistronte, edhe pse gjithçka ishte gati për vazhdimin e kontratës. Ai u largua me lot në sy.
“Unë doja vërtet, mezi prisja të kthehesha, por pasi e përjetova atë që e përjetova dhe u detyrova të largohesha, nuk doja të futesha në këtë gjendje përsëri: të prisja të shihja se çfarë do të ndodhte dhe ta lija të ardhmen time nëpër duart e tjerëve”, nënvizoi Messi.
