Messi në Inter Miami është lajm i rremë, thotë përfaqësuesi i superyllit argjentinas
Lionel Messi nuk është në bisedime për t’iu bashkuar Inter Miamit sezonin e ardhshëm, ka thënë përfaqësuesi i tij Marcelo Mendez për CNN.
Të dielën, The Times në Britani të Madhe raportoi se sulmuesi 35-vjeçar i Paris Saint-Germainit ishte afër të arrinte marrëveshje me skuadrën nga MLS-ja në SHBA dhe ai do ta nënshkruante atë në përfundim të Kupës së Botës në Katar muajin e ardhshëm.
Megjithatë, Mendez, njëri nga përfaqësuesit e Messit, e ka përgënjeshtruar mediumin britanik, duke e quajtur lajm të rremë raportimin e tij për argjentinasin.
“Është e pavërtetë, është lajm i rremë. Nuk ka bisedime që Lionel Messi t’i bashkohet Inter Miamit sezonin e ardhshëm”, tha Mendez për CNN.
Kapiteni i Argjentinës, i cili po e përfaqëson vendin e vet në Katar në atë që besohet të jetë Botërori i tij i fundit në karrierë, ka kontratë me PSG-në vetëm deri në fund të këtij sezoni.
Messi e shënoi një gol të mrekullueshëm për ta thyer akullin dhe për ta ndihmuar Argjentinën ta mposhtë 2:0 Meksikën të shtunën, në një ndeshje vendimtare për shpresat e argjentinasve për ta kaluar grupin, pasi skuadra e Lionel Scalonit kishte pësuar disfatë tronditëse kundër Arabisë Saudite në ndeshjen hapëse.
Gjatë karrierës, Messi i ka fituar 40 trofe me Barcelonën, PSG-në dhe Argjentinën – përfshirë Kupën e Amerikës, që ishte trofeu i parë i madh me kombëtaren – por ai s’e ka fituar asnjëherë Kupën e Botës.
