Messi magjik: Siguron Topin e Tetë të Artë në karrierën e tij të jashtëzakonshme - NACIONALE

Messi magjik: Siguron Topin e Tetë të Artë në karrierën e tij të jashtëzakonshme

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Lionel Messi, mund të quhet definicioni i fjalës futboll. Ai ka thyer çdo rekord të mundshëm, për t’u bërë i paarritshëm nga të tjerët. Në natën e sotme që po mbahet në Francë, ylli argjentinas ka fituar Topin e Artë për vitin 2023, ku në garë ishte me Kylian Mbappen e Erling Haaland.

Për Messin ky është Topi i Artë i tetë në karrierën e tij të shkëlqyer, shifër kjo pothuajse e pamundur për t’u arritur në të ardhmen.

36-vjeçari e vulosi emrin e tij si më i miri i historisë, duke qenë më meritori që Argjentina fitoi Kupën e Botës 2022 në Katar. Ai pati paraqitje të mira në vazhdim te Paris Saint-Germain, ku fitoi titullin kampion, ndërsa transferimi i tij te Inter Miami, bëri që kjo skuadër ta fitonte për herë të parë Kupën e Ligës.

Ylli argjentinas në garë të ngushtë ishte me Erling Haaland që fitoi tripletën historike me Manchester Cityn me 56 gola të shënuar në të gjitha garat dhe Kylian Mbappen që ishte koka e Kombëtares së Francës në rrugëtimin e saj deri në finale të Kupës së Botës, e gjithashtu kontribuoi me paraqitje të shkëlqyera në PSG.

Topi i Artë 2023 mund të jetë çmimi më i diskutuar ndër vite, pasi shumëkush e pa Haalandin si fitues të merituar, pas arritjeve që bëri me Manchester Cityn, por gazetarët që votuan menduan ndryshe dhe kjo padyshim nuk është një gabim, duke parë se çfarë bëri Messi gjatë turneut në Katar.

Messi është tani në pushime, pasi skuadra e tij nuk e ka arritur play-offin e MLS-së dhe do të kthehet për disa miqësore e pastaj për Kombëtaren e tij në muajin nëntor.

Në anën tjetër, Aitana Bonmati, ka triumfuar te gratë, duke fituar Topin e Artë të parë në karrierë, pas një sezoni të suksesshëm me Kombëtaren e Spanjës ku triumfuan në Kupë të Botës e gjithashtu me paraqitje të shkëlqyera me Barcelonën, që fituan Ligën e Kampionëve.

Image

Lajme të ngjashme