Messi: Kjo kupë i dedikohet Maradonas – na ka inkurajuar nga lart
Lionel Messi ka publikuar një tjetër postim në llogaritë e tij në rrjetet sociale, ku kësaj here përmendi edhe Diego Maradonën, për të cilin tha ka qenë një mbështetje nga lart dhe se kupa i dedikohet atij.
Ylli i padiskutueshëm argjentinas, Lionel Messi, po vazhdon ta shijojë tej mase Kupën e Botës që fitoi të dielën pas ekzekutimit të penalltive ndaj Francës, ku edhe shënoi dy gola gjatë 120 minutave sa u luajtën.
Në shkrimin e radhës që publikoi në rrjete sociale, ai ia bashkangjiti edhe një video, ku tregon të gjithë rrugëtimin e tij qëkur ishte fëmijë me fanellën e “Seleccion”.
Në mes të rreshtave nuk harroi as Diego Maradonan, i cili ishte edhe përzgjedhësi i tij gjatë Kupës së Botës të vitit 2010.
“Kjo është kupa e Diegos, i cili na ka inkurajuar nga lart. Po ashtu, kjo kupë është edhe e të gjithë atyre që kanë kaluar kohën e tyre pa shikuar shumë rezultatin, por duke menduar vetëm për përkushtimin që kemi vënë në pah, edhe kur gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e dëshiruar”, shkroi ai.
Vlen të cekët që edhe gjatë ekzekutimit të penalltive Leo Messi është lutur në emër të Diego Maradonas, duke kërkuar nga ai që ta ndihmonte ekipi nga lart.
Shkrimi i plotë i Messit
“Prej Grandoli te Kupa e Botës në Katar kanë kaluar 30 vite. Gati tre dekada, ku topi më ka dhënë shumë kënaqësi dhe ndopak edhe zemërim. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem kampion i botës dhe nuk dëshiroja që të ndalesha së provuari, edhe pse e dija që kishte mundësi të mos ndodhte kurrë.
“Kjo kupë që kemi fituar është për të gjithë ata që nuk kanë mundur ta fitojnë në Kupat e Botës të kaluara, sikur në vitin 2014 në Brazil, ku e meritonim për mënyrën se si ishim angazhuar deri në fund dhe si kishim punuar fort. Të gjithë e dëshironin po aq sa unë. E meritonim ta fitonim atë finale të mallkuar.
“Kjo është kupa e Diegos, i cili na ka inkurajuar nga lart. Po ashtu, kjo kupë është edhe të gjithë atyre që kanë kaluar kohën e tyre pa shikuar shumë rezultatin, por duke menduar vetëm për përkushtimin që kemi vënë në pah, edhe kur gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e dëshiruar.
“Dhe, natyrisht, kjo kupë është e gjithë këtij grupi të mrekullueshëm dhe të stafit teknik, si dhe të gjithë njerëzve në Seleccion, që punojnë ditë e natë për të na lehtësuar gjërat. Shpesh dështimi është pjesë e rrugëtimit dhe pa zhgënjime është e pamundshme që të vijnë sukseset. Faleminderit shumë nga zemra.
Forca Argjentinë”.

