Messi: Instagrami m’u bllokua për disa ditë nga miliona mesazhe, kupa më tha ‘eja më merr’
Lionel Messi ka zbuluar se si llogaria e vet në Instagram i ishte bllokuar për disa ditë, për shkak të miliona mesazheve urimi, ndërkohë që ndeshjen me Meksikën e përshkroi si më të vështirën, në intervistën e parë pas Kupës së Botës.
Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Botës për herë të tretë në historinë e vet, duke i shënuar dy gola në finale të cilën argjentinasit e fituan me penallti dramatike kundër Francës më 18 dhjetor.
Ky ishte trofeu i vetëm që i mungonte dhe e mundonte 35-vjeçarin.
“Kupa më thirri dhe më tha: ‘eja më merr, tani mund të më prekesh’. Zoti e kishte ruajtur për mua. Nuk kishte çast më të mirë se ky”, tha Messi në intervistën e parë që prej atëherë.
Ylli i Paris Saint-Germainit tregoi se si Instagrami dhe WhatsUp i ishte bllokuar për shkak të miliona mesazheve urimi që i kishte marrë.
Messi e theu rekordin për fotografinë më të pëlqyer në Instagram, me dy fotografi në lidhje me triumfin në Katar, të cilat morën mbi 70 milionë pëlqime.
“Instagrami im u bllokua për disa ditë nga mesazhet e shumta që i mora pas Kupës së Botës. Ende emocionohem nga videot që i shoh në rrjetet sociale ku ne bëhemi kampion bote”.

Ai u shpall lojtari më i mirë i turneut, ndërsa u mposht për një gol nga Kylian Mbappe për çmimin golashënuesi më i mirë i turneut.
Ai shtoi: “Ne ishim më të mirë se kundërshtarët tonë sepse ne gjithmonë e dinim se çfarë të bënim në çdo ndeshje. Ekipi i trajnerëve na përgatiti shumë mirë. Ndeshja kundër Meksikës ishte më e vështira.”
Messi i shënoi shtatë gola në shtatë ndeshje, duke u bërë lojtari i parë që shënon gol në secilin rreth të Kupës së Botës qëkur këtij turneu iu shtua edhe rrethi i 16 më të mirëve në vitin 1986.
Ai po ashtu u bë lojtari i parë që e fiton Topin e Artë dy herë, të cilin e kishte fituar edhe në finalen e humbur kundër Gjermanisë më 2014.
Përveç Kupës së Botës, Messi e fitoi edhe Kupën e Amerikës në vitin 2021, i cili ishte trofeu i tij i parë me kombëtaren.
Kjo nënkupton se ish-ylli i Barcelonës tani ka fituar çdo trofe të mundshëm gjatë karrierës së tij prej rreth dy dekadave në botën e futbollit.

