Messi i gatshëm të vazhdojë në PSG, vetëm nëse ekipi përforcohet për të luftuar për Ligën e Kampionëve
Paris Saint-Germaini mbetet klubi më i parapëlqyer i Lionel Messit për të luajtur sezonin e ardhshëm, por argjentinasi duhet të bindet se skuadra do të përforcohet dhe do të jetë në gjendje të garojë kundër klubeve më të mëdha në Evropë.
Marrëveshja e Messit me PSG-në do të mbarojë këtë verë, por ai është i vendosur të vazhdojë të luajë në elitën e futbollit evropian dhe është duke biseduar me klubin për vazhdimin e kontratës për edhe një sezon.
Legjenda e Barcelonës i ka shënuar 29 gola në 64 ndeshje për PSG-në, qëkur u largua nga klubi katalonas dy vite më parë dhe është i bindur se ende mund të garojë për çmimet më të mëdha në futboll, duke hedhur poshtë mundësinë të kthehet te klubi i fëmijërisë, Newell’s Old Boys.
Messi ishte pjesë e skuadrës së PSG-së që u rrëzua nga Liga e Kampionëve të mërkurën, pas disfatës kundër Bayern Munich në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales.
Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën dëshiron edhe një mundësi tjetër reale për ta fituar Ligën e Kampionëve për herë të pestë sezonin e ardhshëm.
Jorge Messi, babai dhe menaxheri i 35-vjeçarit, dhe drejtori i PSG-së Luis Campos janë pajtuar në parim për vazhdimin e kontratës, sipas Guillem Balague, ekspertit të futbollit spanjoll i cili është i afërt me familjen e Messit.
Por bisedimet janë duke vazhduar.
“Tani për tani jemi duke biseduar”, konfirmoi Campos.
“Do të doja ta mbaja atë në këtë projekt, nuk mund ta fsheh këtë. Do të gëzohesha nëse ai vazhdon. Po bisedojmë në përpjekje për të arritur synimin dhe për të vazhduar ta kemi atë me ne”, shtoi ai.

Balague beson se buxheti i PSG-së mund të jetë i kufizuar sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të jetë në përputhje me rregullat e ndershmërisë financiare – gjë që e vë në rrezik cilësinë e skuadrës.
Por Campos është i bindusr se çdo sfidë mund të tejkalohet.
Kërkesa kryesore e Messit për vazhduar do të jetë përforcimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që ajo të jetë në gjendje të luftojë për trofeun e Ligës së Kampionëve, sipas Balague.
Messi është favorit për ta fituar Topin e Artë, i cili do të jepet në tetor, pasi e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në dhjetor.
Ai i ka shënuar 18 gola në 30 paraqitje për PSG-në këtë sezon.
Në 36 ndeshje për kombëtaren dhe klubin këtë sezon, Messi i ka shënuar 30 gola dhe i ka dhënë 20 asiste.
Ky do të ishte Topi i tetë i Artë – më shumë se çdo kush tjetër – dhe ky çmim është po ashtu synim i Messit.
