Messi dhe Ronaldo s’u treguan inteligjentë kur i ndërruan ekipet, thotë Anelka
Vendimi i të dy yjeve të futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, për të kaluar në Manchester United dhe Paris Saint-Germain, përkatësisht, nuk ishte aspak inteligjent, sipas Nicolas Anelkas. Ish-ylli francez thotë se nuk do të ishte turp për ta edhe po t’i varnin këpucët pas gjithë atyre arritjeve.
Messi dhe Ronaldo e habitën botën e futbollit me transferimet verën e kaluar, së pari kalimi i argjentinasit që pati një karrierë të gjatë në Barcelonë, e pastaj edhe kthimit i Ronaldos në shtëpinë e vet Teatrin e Ëndrrave.
Pasi të dy lojtarët ranë nga Liga e Kampionëve, ish-fituesi i Kupës së Botës ka thënë se faji është tek ta, jo për faktin që nuk fituan diçka me skuadrat e reja por që nuk zgjodhën një destinacion më të lehtë, siç është Kina për të vazhduar me lojën që e duan.
Çfarë tha Anelka për mediat?
“Kjo të ndodhë kur dëshiron të luash shumë gjatë,” tha Anelka për RMC Sport. “Karriera e tyre tashmë ka përfunduar dhe mendoj se të dy duhet të jenë të lumtur se çfarë kanë arritur në 15 vitet e fundit. Ata ishin mbi të gjithë për shumë vite dhe është normale që tash të pushojnë.”
“Isha më i befasuar më shumë me Messin se me Ronaldon, kam menduar se Messi do ta ketë më të lehtë në Francë, e Ronaldo më të vështirë për shkak se Premierliga është liga më e fortë për mendimin tim”, nënvizoi ai.
“Të dy nuk janë aspak inteligjentë. Ata do duhej të shkonin në kampionate me më pak sfida, sepse ju duhet të bëni zgjedhjen e duhur për të përfunduar sa më lartë. Ka shumë lojtarë që nuk hezitojnë ta përfundojnë karrierën në moshën 32,33,34-vjeçare dhe nuk janë kritikuar kurrë. Unë i dhashë fund futbollit në moshën 36-vjeçare, por në moshën 32-vjeçare shkova në Kinë”, shtoi ai.
Si po shkon sezoni për Messin dhe Ronaldon në ekipet e reja
Edhe 34-vjeçari edhe 37-vjeçari kanë pasur ngritje e ulje në këtë sezon, duke u paraqitur në nivele të ndryshme.
Të dy tashmë janë jashtë garave evropiane me ekipet e tyre dhe është paradoksale për faktin se Messi ka pasur paraqitje të dobëta në Ligën e Kampionëve, ndërsa Ronaldo përkundër faktit që është eliminuar nga kjo garë dhe rrezikon të ngelë jashtë Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm, ai prapëseprapë është lojtari më i mirë tek Manchester United këtë sezon.

Mbetët të shihet se si do të shkojë viti i dytë i tyre në klubet përkatëse, kur dihet që të dy kanë vitin e fundit të kontratës, sidoqoftë sytë janë të drejtuar tek ta edhe gjatë fundit të vitit, ku do të paraqiten në Kupën e Botës që do mbahet gjatë muajve nëntor dhe dhjetor në Katar.
Asnjëri prej tyre nuk e duan një eliminim të hershëm dhe të dy synojnë qa ta fitojnë të paktën një Kupë të Botës, kur dihet qe asnjëri nga ta nuk e ka arritur një gjë të tillë./Përgatiti Vivianit Gërguri/
