Messi dhe Neymari e festojnë titullin e Barcelonës në Laliga me ish-bashkëlojtarë përmes video call
Lionel Messi dhe Neymari morën pjesën në festimet e titullit të Barcelonës në Laliga të dielën vonë, duke u kyçur me ish-bashkëlojtarët përmes video-thirrjeve.
Barcelona e mundi rivalin e qytetit Espanyol 4:2 në udhëtim për ta fituar titullin për sezonin 2022/23 në Laliga të dielën mbrëma.
Lojtarët festuan në fushën e RCDE Stadium, nga ku u detyruan të ikin në zhveshtore për shkak se tifozët vendas e pushtuan fushën nga zemërimi.
Ky ishte titulli i parë në Laliga që prej sezonit 2017/18 për Barcelonën.
Disa fytyra familjare u përfshinë në ahengun e lojtarëve të Barcelonës përmes lidhjes direkte me video, sipas Gerard Romero, përfshirë Messin dhe Neymarin.
Superylli argjentinas madje iu bashkua mbrojtësit Ronald Araujo gjatë një lidhjeje direkte në Instagram, duke e nxitur uruguaianin të thoshte: “Kush është aty? Messi? Ta hajë dreqi!”
COMOOO?? Messi carajoooo?? @JijantesFC pic.twitter.com/lswSOYLDQC
— Gerard Romero (@gerardromero) May 14, 2023
Për Messin vazhdon të përflitet se mund të kthehet në Barcelonë këtë verë, pavarësisht se kërkohet bujshëm edhe në ML dhe në Lindjen e Mesme.
Messi, 35 vjeç, u largua nga Barça në verën e vitit 2021 sepse klubi nuk ishte në gjendje t’ia vazhdonte kontratën për shkak të telasheve financiare.
Ai i ka kaluar dy vitet e fundit në Francë me Paris Saint-Germainin, por tani që po i përfundon marrëveshja dyvjeçare atje, argjentinasi do të jetë lojtar i lirë në verë.
Barcelona do t’i ketë disa pengesa për t’i kaluar para se të jetë në gjendje të nënshkruajë me shtatë herë fituesin e Topit të Artë, por presidenti i katalonasve Joan Laporta është zotuar se po bën gjithçka në dorën e tij për t’ua plotësuar ëndrrën tifozëve të klubit.
Duke folur pasi Barcelona e fitoi titullin në Laliga 2022/23 mbrëmë me fitoren ndaj Espanyolit, Laporta tha: “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kthyer Leo Messin në Barcelonë”.

