FC Barcelona kampion i Spanjës - NACIONALE

FC Barcelona kampion i Spanjës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tani edhe zyrtarisht, FC Barcelona ka fituar titullin në Spanjë duke e siguruar edhe matematikisht pas fitores ndaj Espanyol.

Katër xhiro pa përfunduar kampionati, blaugranasit fituan titullin atë në ndeshjen ndaj rivalit lokal Espanyol, ku triumfoi me rezultat të thellë 2:4.

Robert Lewandowski pas vetëm 11 minutave lojë përfitoi nga një asistim i bukur i Balde për t'i dhënë epërsinë mysafirëve.

Nëntë minuta më vonë, Balde dyfishoi epërsinë me një goditje të saktë pas një harkimi fantastik të Pedrit (20').

Barcelona nuk u ndal më kaq duke shënuar edhe golin e tretë me anë të Lewandowskit, që u asistua këtë herë nga Raphinha (40').

Fitoren e skuadrës së Xavi Hernandez e vulosi qendërmbrojtësi Jules Kounde duke shënuar me kokë pas harkimit të De Jongut (53').

E tëra që Espanyol ishte goli që ngushtoi epërsinë me anë të Javi Puado, i cili shënoi një parabolë të bukur për ta mposhtur Ter Stegenin (73').

Ndërsa në kohën shtesë, Espanyol realizoi edhe të dytin me anë të Joselu, që ishte i fundit në ndeshje (90+4').

Pas këtij tre pikëshi, Barcelona mbledhë 85 pikë derisa Espanyol renditet në pozitën e parafundit me 31 sosh.

Për Barcelonën ky është titulli i parë pas katër edicioneve, derisa i 27-ti në histori të klubit. Në anën tjetër, katalunasit janë eliminuar nga dy kompeticionet e tjera (Kupa e Mbretit dhe Liga e Evropës), ndërsa kanë fituar Superkupën e Spanjës.

Lajme të ngjashme