Mërgim Vojvoda pas kalimit te Como: Jam këtu për të punuar për projektin
Mbrojtësi Mërgim Vojvoda është i gatshëm ta dëshmojë kualitetin te Como, skuadër të cilës iu bashkua nga Torino.
Ylli i Kosovës të hënën kompletoi kalimin te Como, të cilës iu bashkua nga Torino, skuadër në të cilën kaloi pesë vite.
Për faqen zyrtare të klubit, Vojvoda u deklarua më i emocionuar se kurrë për ta treguar vetën.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam këtu, si dhe gati për ta ndihmuar skuadrën. Serie A nuk është ligë e lehtë, por mendoj se skuadra ka kualitet. Kam biseduar me trajnerin dhe jam këtu për të punuar për projektin”.
Ndërkohë, trajneri Cesc Fabregas shtoi se Vojvoda do t’i sjell eksperiencë dhe kualitet skuadrës në aspektin defansiv.
“Mërgimi i sjell eksperiencë dhe qëndrueshmëri në mbrojtje skuadrës tonë. Aftësia për të luajtur në disa role në defansivë dhe eksperienca në Serie A e bën edhe më të fortë mbrojtjen tonë”, nënvizoi ish legjenda e Barcelonës.
Vojvoda përndryshe ka nënshkruar kontratë deri më 2028, kurse do të merr rreth 1.8 milionë euro për sezon.