Mentor Zhdrella pensionohet nga futbolli
Mentor Zhdrella, njëri prej futbollistëve më të mirë të futbollist kosovar, ka njoftuar pensionimin nga futbolli profesional në moshën 34-vjeçare.
Zhdrella njoftoi të enjten përmes një shkrimi në llogarinë e vet në Facebook se tani është koha që ai t’i japë fund një karrierë gati 20-vjeçare në futboll.
“Të dashur miq Çdo fillim e ka fundin e vetë, edhe karrierës time si futbollist i erdhi fundi”, shkroi Zhdrella në Facebook.
Mesfushori nga Prishtina e kaloi tërë karrierën në futbollin kosovar dhe ishte shpallur katër herë futbollisti më i mirë i vitit në Kosovë.
I njohur si njëri prej futbollistëve më të talentuar që ka pasur Superliga, falë aftësive për të dribluar, shpejtësisë dhe mjeshtërisë nga gjuajtjet e lira, Zhdrella e fitoi një titull kampioni me Feronikelin në vitin 2015, tani i shkrirë në Feronikeli 74.
Ai po ashtu e fitoi Kupën e Kosovës me Llapin.
“Ndihem jashtëzakonisht i lumtur sepse kam arritur ëndrrën time për të luajtur sportin që dua. Ai më dha disa nga momentet më të mira të jetës sime, më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe suksese”.
Zhdrella e nisi karrierën te 2 Korriku në vitin 2005 dhe ishte pjesë e klubeve të mëdha kosovare si Prishtina, Drita, Llapi dhe Feronikeli.
Ai shtoi: “Ndjej kënaqësi të jashtëzakonshme kur kthej kokën mbrapa dhe shikoj atë çfarë kam bërë në futboll në këto 20 vite të kaluara, ku kam bërë shoqëri fantastike dhe shumë trofe të fituara si dhe suksese individuale të arritura.”