Menaxheri i Salahut reagon pas lajmeve për takimin me shefin e PSG-së
Menaxheri i Mohamed Salahut i ka mohuar thashethemet se sulmuesi i Liverpoolit ishte takuar me presidentin e Paris Saint-Germainin, Nasser Al-Khelaifi, në Marok.
E ardhmja e Salahut në Anfield ka qenë temë e spekulimeve kohëve të fundit dhe mediat franceze raportuan se klubi parisien është i përkushtuar t’i sigurojë shërbimet e egjiptianit gjatë kësaj vere.
Messi u largua nga klubi këtë muaj dhe u tha se Salah është zëvendësuesi ideal i tij në Parkun e Princave.
Mediat në Francë raportuan gjatë javës se Al-Khelaifi u takua me Salahun në Marok për ta bindur atë të nënshkruajë me PSG-në.
Megjithatë, menaxheri i Salahut, Ramy Abbas Issa, i ka mohuar këto lajme kategorikisht duke shkruar në rrjetin social Twitter: “Jo, ai nuk u takua. Ky është rrëfimi i shkurtër”.
No, he did not. That’s the short story.
— Ramy Abbas Issa (@RamyCol) June 15, 2023
Salah ka qenë lojtar kyç në sulmin e Liverpoolit në sezonin 2022/23, duke i shënuar 30 gola në të gjitha garat, megjithëse skuadra bëri paraqitje të dobëta në përgjithësi.
Megjithatë, duke qenë se Liverpooli nuk do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, thashethemet për largimin e Salahut dhe kalimin e tij në një klub që do të garojë në garën elitare evropiane po vazhdojnë të qarkullojnë.
Salah ka marrëveshje me të kuqtë deri në vitin 2025 dhe trajneri i tij Jurgen Klopp tha se egjiptiani nuk është në treg.

