Menaxheri i Imerit, Ibrahimi: Zgjodhi Young Boys për titull, u kërkua nga Eintracht Frankfurt, Besiktas dhe Bologna
Mesfushori sulmues Kastriot Imeri kishte mundësi të luajë në kampionate si Seria A, Bundesliga apo edhe në Superligën Turke, por vendosi të qëndrojë në Zvicër që të fitojë titullin, kështu thotë menaxheri i tij Gëzim Ibrahimi në një bisedë për gazetën Nacionale.
Imeri ishte përforcimi i madh i skuadrës zvicerane që e zyrtarizuan disa ditë më parë pas disa viteve shkëlqimi te rivali, Servette.
Sidoqoftë, mesfushori nga Kosova që përfaqëson Zvicrën ka pasur mundësi të luajë në kampionate më të mëdha, por që zgjodhi Young Boys që të luftojë për titull.
Menaxheri Gëzim Ibrahimi për Nacionalen tregoi në detaje se kishte shumë oferta për shërbimet e 22-vjeçarit.
“Po ka qenë zgjidhja e Kastriotit të qëndrojë në Zvicër që të luftojë për titull me Young Boys. Ka pasur interesim shumë të madh nga kampionate të tjera, si Seria A, një skuadër nga Bundesliga, e ka kërkuar edhe Besiktasi. Por, dëshira e tij është që të fitojë titullin prandaj zgjodhi Young Boysin”.
Ai konfirmoi se pas tre apo katër takimeve me skuadrën zvicerane u mbyll një marrëveshje.
“Po si çdo herë, negociatat mes klubeve zgjasin është e nevojshme të ketë durim. Jemi takuar tre apo katër herë dhe pastaj është kryer”.
Ibrahimi zbuloi në detaje edhe emrat e skuadrave që e kërkuan Imerin, duke shpjeguar si dështoi kalimi te Eintracht Frankfurt që vendosen në fund për nënshkrimin me Mario Gotzen.
“Nga Bundesliga, interesim ka shprehur Eintracht Frankfurti të cilët në fund zgjodhën Mario Gotze para Kastriotit. Është normale pasi një gjerman gjithmonë e zgjedh një gjerman që edhe e ka fituar Kupën e Botës”.
Ai në fund shtoi se ka pasur kontakte me disa klube të Seria A, si Genoa apo Bologna, por një marrëveshje nuk u arrit pasi këto klube nuk garojnë për pozitat e larta në tabelë.
“Në Seria A, kemi pasur kontakte me klubet e njohura si Sampdoria Genoa, Bologna, por që janë skuadra që luftojnë për pozitat me numër 10 e poshtë, prandaj dëshira e Kastriotit ka qenë që të luftojë për titull me Young Boysin, andaj edhe vendosem për qëndrimin këtu”, përfundoi ai për Nacionalen.
Imeri tërë karrierën si futbollist e ka kaluar te skuadra e Servette, ku ishte pjesë edhe e grupmoshave si U18 dhe U21, por që kulmin e kishte në ekipin e parë ku zhvilloi 148 paraqitje në të gjitha garat duke regjistruar 22 gola dhe 17 asistime brenda 7 mijë e 578 minutave në fushë.