Megjithëse luajti me një lojtar më pak për 50 minuta, Torino eliminon Milanin nga Kupa e Italisë - NACIONALE

Megjithëse luajti me një lojtar më pak për 50 minuta, Torino eliminon Milanin nga Kupa e Italisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Milan nuk ia doli që ta shfrytëzojë epërsinë numerike në fushë kundër Torinos, duke u eliminuar kështu në 1/8 e Kupës së Italisë me rezultat 1:0. Skuadra e Ivan Juric kështu siguroi çerekfinalen e kupës në fjalë.

Viti 2023 nuk ka nisur në formën më të mirë për “Kuqezinjtë” e udhëhequr nga Stefano Pioli. Pasi çuditërisht nuk arritën ta menaxhojnë epërsinë e dyfishtë në ndeshjen kundër Romas në kampionat, erdhi sërish një dush i ftohtë.

Kësaj radhe një goditje tjetër u mor në Kupën e Italisë. Sonte, Milani ishte nikoqir i Torinos. Për skuadrën mysafire ndeshjen nga stoli e nisi mbrojtësi kosovar Mërgim Vojvoda.

Gjithsesi, ndeshja nisi me ritëm të plogësht. Asnjëra nga skuadër nuk ia dilte që të krijonte ndonjë volum të kënaqshëm loje.

Pjesa e parë u mbyll me një lojë të zbehtë nga të dy ekipet. Në pjesën e dytë Milani intensifikoi sulmet e veta në përpjekje për ta zhbllokuar rezultatin.

Pas inkuadrimit në lojë të Leaos nga minuta e 67-të, “Kuqezinjtë” ishin më shpërthyes në lëvizjet e tyre, edhe pse aksionet në përgjithësi ishin të lexueshme.

Në minutën e 70-të për mysafirët gjërat filluan të ndërlikoheshin, pasi mbrojtësi Djidji u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar kështu nga loja.

Mërgim Vojvoda hyri në ndeshje në minutën e 81-të për t’i dhënë ekuilibër mbrojtës të skuadrës së tij. Koha e rregullt mbaroi me rezultatin pa gola.

Në vazhdimin mes dy pjesëve kampioni në fuqi i Italisë nuk arriti që ta gjente kurrsesi golin që do ta zhbllokonte rezultatin.

Befasishëm, falë një tranzicioni të shpejtë, një gjë të tillë arriti ta bëjë ekipi mysafir. Në minutën e 114-t, pas një kombinimi të mirë mes Bayeye dhe Adopo, ky i fundit shënoi nga afërsia për ta tundur portën e Tatarusanu.

Edhe pse ekipi vendës u hodh i gjithi në sulm në minutat e mbetura, Torino ia doli që edhe pse me një lojtar më pak në fushë, ta menaxhojë mjaft mirë kapitalin prej një goli që krijoi.

Kështu Torino u kualifikua në çerekfinale të Kupës së Italisë, ndërsa aventura e Milanit në këtë garë ndalet me kaq.

Përmbledhja e ndeshjes Milan - Torino:

Lajme të ngjashme