Megjithëse dështoi në Botëror, Gjermania i jep besim Flickut ta drejtojë ekipin në Evropian
Federata e Futbollit e Gjermanisë ka njoftuar opinionin publik se ka vendosur ta vazhdojë bashkëpunimin me Hansi Flick, pavarësisht dështimit në Botërorin e fundit.
Gjermania nuk ia doli për herë të dytë të kualifikohet në fazën e eliminimit direkt të Botërorit. Lew para katër vjetësh e kishte pësuar, duke u larguar nga pozita e përzgjedhësit.
Megjithatë, të njëjtin fat nuk do ta ketë edhe Hansi Flick. Federata e Futbollit e Gjermanisë mendon se ai është profili i duhur për ta udhëhequr ekipin kombëtar drejt Euro 2024.
“Të gjithë jemi të bindur se Evropiani 2024 për futbollin në Gjermani përfaqëson një mundësi të madhe. Kemi besim të plotë te Hansi Blick që mund ta përballojë këtë sfidë”, shtoi presidenti i federatës, Bern Neuendorf.

Optimist u shfaq edhe Flick, i cili deklaroi se Gjermania do të dëshmojë në Evropianin e ardhshëm shumë më shumë seç ofroi gjatë këtij Botërori.
“Unë dhe stafi im teknik jemi optimistë sa i përket Evropianit që do të zhvillohet në vendin tonë. Si ekip kombëtar mund të arrimë shumë më shumë seç bëmë në Katar”, nënvizoi ai.
Të gjithë sytë tek Evropiani
Gjermania tani ka koncentruar të gjithë vëmendjen tek Evropiani 2024, ngjarje të cilën do ta organizojë vetë si mikpritëse.
Flick zotohet se kombëtarja që drejton ai do të mësojë nga përvoja e fundit e hidhur në Botëror.
“Në Katar kemi humbur një mundësi të madhe. Do të mësojmë nga kjo përvojë. Dëshirojmë që sërish i gjithë vendi ta të jetë në përkrahje të ekipit gjatë Evropianit 2024, që do të zhvillohet në shtëpinë tonë”, u shpreh ai.
Gjermania edhe pse e konfirmoi në pozitën e përzgjedhësit Flickut, gjatë ditëve të fundit vendosi të ndërmarrë disa reformime të brendshme.
I pari që e pësoi ishte vetë legjenda gjermane, Oliver Bierhoff. Ai ishte shef i ekipeve kombëtare zinxhir dhe Akademisë. Pas 18 vjetësh që ishte në atë detyrë, u shkarkua.
Deri në Evropianin e ardhshëm Gjermania duhet të bëjë çmos për ta gjetur një zgjidhje sa i përket gjetjes së një qendërsulmuesi, i cili di t’i finalizojë aksionet për gola.
Një profil i tillë i lojtarit i ka munguar prej që Klose është pensionuar nga futbolli. Ideja që të luhej me një “9-sh fals” nuk ka rezultuar e suksesshme, me Gjermaninë që ka krijuar raste shënimi, por ka treguar mangësi të madhe në finalizim të aksioneve.

Një tjetër e metë që duhet sa më parë ta përforcojë është mbrojtja, pasi kombëtarja gjermane ka pësuar një mori golash, shpesh edhe të lehtë.
Kujtojmë se në Botërorin e fundit u eliminua në fazën e grupeve, pasi kishte vetëm një fitore, ndërsa Japonia u kualifikua me 6 pikë, po aq sa kishte edhe Spanja.

