Mediet turke të sigurta - Rashica pritet të luajë për herë të parë titullar për Galatasarayn - NACIONALE

Mediet turke të sigurta - Rashica pritet të luajë për herë të parë titullar për Galatasarayn

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas një muaj e gjysmë që është pjesë e kampionatit turk, gjegjësisht Galatasarayt, Milot Rashica asnjëherë s’ka luajtur titullar. Mediet turke janë të bindura se kjo ditë do të vijë nesër ndaj Kayserispor.

Vetëm tetë minuta të luajtura në dy raste sa është inkuadruar në lojë nga pjesët e dyta. Shumë pak për t’u gjykuar paraqitjet e tij. Fillimi i epokës te Galatasaray te Miloti ka shpërfytyruar të gjitha problemet që ka pasur javëve paraprake para se t’i bashkohej klubit turk.

Një seri pakënaqësish te Norwichi, të cilat u nënkuptuan edhe nga daljet publike të trajnerit të klubit anglez, i cili nganjëherë e shigjetoi, e disa herë e paralajmëroi se nuk e ka më të sigurt pozitën e titullarit.

Gjithsesi, tani Milot Rashica do të mund t’i lë anash vështirësitë dhe të koncentrohet te futbolli i luajtur, në përpjekje që të paktën ta rikthejë formën fizike të dikurshme, e cila u reflektua edhe në ndeshjet me Kombëtaren e Kosovës gjatë fundit të muajit shtator se nuk është në elementin e vet më të mirë.

Shtypi i shkruar turk njëzëri konfirmoi sot që trajneri Okan Buruk ka ndarë mendjen që ta nisë ndeshjen e nesërme ndaj Kayserispor në udhëtim me Milot Rashicën nga minuta e parë.

Në vazhdën e disa ndryshimeve në formacionin bazë edhe Milot Rashica do të jetë prej atyre që do të kenë rastin të luajë si titullar, me objektivin e vetëm që tre pikët t’i kthejnë në Stamboll.

Gazeta turke “Sabah” raporton se trajneri është i pakënaqur nga paraqitjet e Kerem dhe pikërisht në pozitën e tij do të angazhohet sulmuesi kosovar.

Pra, nesër Milot Rashica do ta mbulojë krahun e majtë të sulmit të Galatasarayt, gjithmonë duke u referuar shtypit turk, që në këtë aspekt nuk ka mëdyshje, duke raportuar të njëjtën gjë që të gjithë.

Futbollisti “dardan” së bashku me Akgun do të mbulojnë dy krahët e sulmit, për të mundësuar kështu që sulmi i skuadrës të jetë më efikas seç ka qenë javëve të shkuara.

Një lajm padyshim i mirë ky për Rashicën, kur dihet se të qenët me statusin e titullarit në fushë i mungon tani e një kohë, duke llogaritur edhe kohën sa ishte lojtar i Norwichit para se të largohej.

Galatasaray ka bërë përforcime të ndryshme në afatin kalimtar veror. Një seri lojtarësh me përvojë janë afruar te klubi nga Stambolli. Lojtarë të kalibrit të Icardi, Mertens, Herrera apo Mata – kanë zgjedhur që ta vazhdojnë karrierën në ambientin e zjarrtë çfarë di të prodhojë “Nef Stadyumu”.

Deri më tani Galatasaray zë pozitën e 5-të në renditjen tabelore, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Përveç tjerash, dallimi me kreun e tabelës, ku qëndron Adana Demirspor, është vetëm një pikë.

Lajme të ngjashme