Me Pedrin e papërmbajtshëm, Barcelona siguron çerekfinalen e Ligës së Evropës
Ekipi i Barcelonës ka siguruar plasmanin për në çerekfinale të Ligës së Evropës, ku ka shënuar fitore në stadiumin e zhurmshëm të Nef Stadyumu, me rezultatin 1 me 2.
Barcelona në këtë ndeshje vinte pas rezultatit befasues që kishte marrë në ndeshjen e parë, ku në Camp Nou nuk arriti të marrë asgjë më shumë sesa një barazim pa gola. Kjo bëri që ekipi i udhëhequr nga trajneri Xavi ta kishte të detyrueshme t'i qaset ndeshjes së kthimit me seriozitetin më të lartë të mundshëm, për të kërkuar që të avancojë në fazën e metëjme të Ligës së Evropës, pasi paraprakisht në mënyrë më të lehtë sesa që pritej eliminoi Napolin e Amir Rrahmanit.
Sfida filloi me klubin turk hyri në ndeshje me plot entuziazëm, falë edhe një mbështetjeje impozante prej 50 mijë shikuesve turkë, që bënte që edhe ekipi i Galatasarayt të luante me energji dhe disponim të lartë për lojë, sa për t'i mbuluar përmes euforisë edhe mangësitë e mëdha teknike që i kanë, e të cilat po i përcjellin në sezonin e sivjem.

Për ta bërë tifozërinë vendase të futej në delir u përkujdes kapiteni i ekipit, Marcao, i cili shënoi me kokë në minutën e 28-të, pasi u la vetëm nga një këndore e ekzekutuar nga ana e djathtë. Ishte Ferran Torres ai që nuk e mbuloi mirë mbrojtësin brazilian. Pastaj ky i fundit pa vështirësi ia doli të shkëputet dhe ta dërgojë topin në rrjetë.

Sidoqoftë, vetëm nëntë minuta zgjati epërsia e nikoqirëve, pasi shumë shpejt iu kundëpërgjigj talenti 19 vjeçar, Pedri, duke shënuar një gol thjesht dehës. Ferran Torres gjeti një korridor të lirë brenda zonës së rreptësisë, aty ku ndodhej i lirë Pedri. Ky i fundit u tregua gjakftohtë!
Marcos u nxitua që me anë të një zhagitjeje ta barrikadonte duke menduar se mesfushori spanjoll do të godiste pa menduar shumë, por kështu nuk ndodhi. Ai e la atë të zhagitej, me një gjysmë fintë u lirua edhe nga kundërshtari tjetër dhe në fund, me portierin që veç doli jashtë zonës së tij - Pedri dërgoi topin në rrjetë për ta barazuar rezultatin. Ishte një gol për ta vendosur në kornizë për mesfushorin e ri të spikatur.

Nga ky moment, ndryshoi e gjithë rrjedha e ndeshjes. Barcelona bëri "ligjin" e saj, duke kontrolluar topin dhe diktuar tempon e lojës varësisht prej dëshirës.
Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll me shifrat e barabarta, me rezultatin 1 me 1.
Pjesa e dytë filloi me Barcelonën që bëri zëvendësimin e parë, duke larguar nga loja Adama Traoren krejtësisht të pavërejtur në lojë, për t'i dhënë hapësirë në fushë sulmuesit francez të krahut, Ousmane Dembélé.
Barcelona vazhdoi ta rriste si dominimin, ashtu edhe vëllimin e aksioneve sulmuese. Diçka e tillë u përkthye në mënyrën më të mirë në minutën e 49-të, kur mesfushori Busquets provoi të godiste fare pranë zonës së 16 metërshit, por portieri Pena devijoi topin. Aksioni vazhdoi me një seri përpjekjesh nga katalonasit. Në fund, gjithmonë nga i njëjti aksion, topi shkoi te de Jong, i cili nuk u vonua të asistoi për Pierre-Emerick Aubameyang, që shënoi golin e dytë dhe të fitores për ekipin mysafir.

Në minutat në vazhdim Xavi me anë të zëvendësimeve dhe direktivave që jepi, si dhe falë cilësisë që fliste në të mirën e Barcelonës - bëri që ata thjesht ta administronin rezultatin, pa rrezikuar ndonjëherë në mënyrë të qartë pësimin e golit.
Në minutën e 86-të publiku vendas hudhi gjësende në fushë, të irrituar me Jordi Alben dhe gjestin e tij, që thjesht tregoi për një moment një shpërthim nevrikosës, çka nuk u pëlqeu lojtarëve vendasë, e aq më pak tifozërisë së tyre. Pas një minuti gjithçka iu kthye normalitetit, me ndeshjen që rinisi.

Në fund, Barcelona pati disa kundërsulme që i krijoi, por pa treguar efikasitet. Përmbledhurazi mund të konstatohet që Galatasaray u eliminua, por nuk u gjunjëzua. Vlen të përshëndetet shpirti i tyre i treguar në fushë, me një angazhim vetëmohues.
Kështu u përmbyll sfida e sotme, me Barcelonën që shkon në mesin e tetë skuadrave më të mira të Ligës së Evropës, në pritje të hedhjes së shortit që do të bëhet gjatë ditës së nesërme (e premte), me fillim në ora 13:00.