Me Messin jashtë fushës, PSG demolohet nga Monaco
Paris Saint-Germain dhuroi një paraqitje të tmerrshme, derisa u mposht 3-0 nga Monaco, në Ligue 1, të dielën, një rezultat që e vë nën presion të jashtëzakonshëm trajnerin, Mauricio Pochettino, më pak se dy javë pas eleminimit nga Liga e Kampionëve.
PSG, në kuotën e 65 pikëve nga 29 ndeshje, vazhdon të kryesojë në ligë me një distancë të konsiderueshme nga rivalët më të afërt.
Me Lionel Messin që u pushua në këtë ndeshje, për shkak të një gripi, skuadra kryeqytetase tregoi gati asgjë në stadiumin 'Louis II', 11 ditë pasi u eleminua nga Real Madridi, në fazën e eleminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Monaco, në anën tjetër, me këtë fitore, u ngjit në vendin e shtatë me 44 pikë.
"Ata luajtën mirë, urime për ta. Janë skuadër e mirë, klub madhështor", tha Kylian Mbappe, pas ndeshjes.
"Objektivi është të sigurojmë titullin e dhjetë francez. Mund të fitojmë 8-0, 9-0, njerëzit prapë do të flasin për Ligën e Kampionëve. Çkado që ndodhë, duhet ta respektojmë veten, nëse kemi pak vetë-vlerësim. Gjithashtu duhet të respektojmë fansat".
Pochettino gjithashtu dha një deklaratë të fuqishme.
"Mënyra si humbëm nuk është e pranueshme në këtë nivel garash. Nuk mund të fillojmë një ndeshje në mënyrën si e filluam këtë", tha ai.
"Duhet ta lëmë prapa largimin nga Liga e Kampionëve. Shpresoj se pushimi ndërkombëtar do të na ndihmojë ta lëmë prapa".
PSG luajti dobët në mesfushë dhe nuk u desh të priste gjatë për t'u ndëshkuar.
Bem Yedder kaloi në epërsi nikoqirët pas 25 minutave, pasi mposhti Presnel Kimpemben në afërsi të shtyllës, për ta devijuar krosimin e Youssouf Fofanas në qoshen e epërme.
Goli erdhi pak pas tentativës së parë në ndeshje të PSG-së, një goditje me efej nga Neymar, që përfundoi jashtë portës.
Parisienët u përmirësuan paksa para intervialit, me Mbappen dhe Achraf Hakimin që krijuan mundësi, por paraqitja e tyre ishte prapë nën mesatare.
PSG ishte shumë më e mirë pas pushimit, teksa Mbappe humbi disa mundësi të mira, para se Monaco të dyfishonte avantazhin në minutën e 68.
Fofana, i pa penguar, gjeti Ben Yedderin në të djathtë, me pasimin e francezit që arriti në këmbët e Ruben Aguilar, i cili devijoi topin për Kevin Volland, i cili shënoi nga gjashtë metra distancë.
Pochettino zëvendësoi Leandro Paraedes me Mauro Icardin dhe Neymarin me Julian Draxlerin, por këto ndryshime patën zero impakt, teksa PSG pranoi një tjetër gol, gjashtë minuta para përfundimit.
Volland u pengua në zonë nga Kimpembe dhe Ben Yedder, pastaj, konvertoi nga penalltia, për t'ia konfirmuar humbjen e katërt rresht në të gjitha garat, si mysafire, PSG-së.