Mbreti Salman shpall ditë pushimi, pasi Arabia Saudite mposhti Argjentinën
Dita e mërkurë është ditë pushimi festiv për të gjithë punëtorët dhe studentët në Arabinë Saudite, pasi ekipi i tyre kombëtar e mundi Argjentinën në Kupën e Botës të martën.
Arabia Saudite e ka shkaktuar njërën prej tronditjeve më të mëdha në historinë e Kupës së Botës, duke e mposhtur 2:1 me përmbysje Argjentinën, njërën prej skuadrave e cilësuar si favorite për trofeun në Katar.
Falë një paraqitjeje të guximshme dhe të shkëlqyer, Arabia Saudite e përmbysi rezultatin nga 1:0 në 1:2 për ta fituar ndeshjen hapëse në Grupin C kundër Argjentinës.
Mbreti Salman e miratoi kërkesën e Princit të Kurorës Mohammed bin Slaman për ta festuar fitoren e Kombëtares me një ditë pushimi.
Të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat, si dhe studentët me shkollat do ta ketë ditë pushimi këtë të mërkurë, sipas Agjencisë së Lajmeve të Arabisë Saudite.

Si e tronditi Arabia Saudite Argjentinën
Sauditët dukeshin të mbaruar në pjesën e parë, pasi Lionel Messi e kaloi Argjentinën në epërsi 1:0 duke shënuar nga penalltia.
Argjentinës iu shfuqizuan po ashtu tri gola për pozitë jashtë loje në një pjesë të parë ku argjentinasit u zunë plot shtatë herë në pozitë jashtë loje nga kurthi i përkryer saudit.
Por sauditët e përmbysën lojën brenda 10 minutave në fillim të pjesës së dytë falë golave të shkëlqyer nga Saleh Al-Shehri, i cili e barazoi rezultatin, dhe Salem Al Dawsar që shënoi për epërsinë dhe fitoren e kombëtares saudite.

Arabia fitoi me vetëm dy goditje në portë, ndërkohë që portieri Green Falcons pati një paraqitje të shkëlqyer po ashtu, duke bërë disa pritje vendimtare të argjentinasve.
Argjentina e Lionel Scalonit erdhi si favorite në këtë Botëror, për shkak të një ecurie fantastike prej 36 ndeshjeve pa humbje dhe si kampione e Amerikës Jugore 2021.
Tani ata duhet t’i mbajnë gjallë shpresat për trofeun e parë global që prej vitit 1986 dhe për t’i dhënë Messit një lamtumirë të mirëfilltë në atë që është me gjasë Botërori i tij i fundit.
Argjentina do të përballet edhe me Poloninë dhe Meksikën në Grupin C në dy ndeshjet e fundit grupore.
