Mbrëmje e keqe për ekipet londineze, eliminohen shpejt Arsenal dhe Tottenham nga Carabao Cup
Arsenali dhe Tottenham janë eliminuar në 1/16-at e Carabao Cup. Arsenali u mposht 1:3 nga Brighton, kurse Tottenhami në udhëtim pësoi disfatë 2:0 nga Nottinham Forest.
Nuk ishte mbrëmja më e përkryer e mundshme për ekipet londineze në Carabao Cup. Skuadrat nga veriu i Londrës, Arsenali dhe Tottenhami, nuk ia dolën që t’i kalojnë me sukses testet që i kishin para vetes.
Ngadhënjyen para tyre ekipet si Brighton dhe Nottingham Forest. Duhet theksuar që si Arsenali, ashtu edhe Tottenhami, aplikuan një rotacion të konsiderueshëm në formacionet respektive.
Marrë parasysh edhe angazhimet e shumta që kanë në shumë sfera këto ekipe, nuk është hera e parë që bëjnë hapa të tillë falsë në kupat e Anglisë, e veçanërisht në Carabao Cup.
Raporti i ndeshjes Arsenal 1:3 Brighton
Serinë e golave në këtë ndeshje e hapi Arsenali me anë të Nketiah në minutën e 20-të të takimit. Mesfushori anglez shënoi pasi mori një pasim nga bashkëkombësi i tij, Nelson.
Mirëpo, epërsia e “topçinjve” zgjati pak minuta, pas gjyqtari i ndeshjes në minutën e 26-të akordoi penallti për mysafirët.
Nga 11-metërshi nuk gaboi Welbeck, që mposhti portierin e ri të Arsenalit, Hein, duke barazuar shifrat në 1:1.
Kështu mbaroi pjesa e parë, me rezultatin 1:1. Ndërkaq pjesa e dytë filloi me një ritëm relativisht të lartë, ku të dy skuadrat sulmonin.
Megjithatë, Brighton ishte ekipi që në minutën e 58-të përmbysi rezultatin, duke shënuar përmes Mitoma për 1:2.
Ndërkaq, kalimin tutje ekipit të De Zerbit ia mundësoi Lamptey me anë të golit që realizoi në minutën e 71-të, duke konfirmuar fitoren prej 1:3.
Raporti i ndeshjes Nottingham Forest 2:0 Tottenham
Antonio Conte nuk kishte një sfidë të lehtë para vetes sot në udhëtimin ndaj Nottingham Forestit.
Skuadra vendëse përmes dy golave të shpejtë që realizoi brenda intervalit kohor prej shtatë minutave i dha vulë kalimit tutje në këtë kupë.
Në minutën e 50-të llogarinë e golave e hapi Lodi. Ai shënoi një gol të bukur nga një pozitë ballore.
Ndërsa në minutën e 57-të ishte ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Lingard, ai që shënoi për 2:0, duke dyfishuar epërsinë.
Me këtë gol edhe mbaroi epilogu i ndeshjes, me Nottingham Forest që siguroi kalimin në 1/8 e finales së kësaj kupe.
