Mathys Tel i bën presion Bayernit, e kërkon largimin në janar
Sulmuesi Mathys Tel e ka kërkuar largimin e menjëhershëm nga Bayern Munich.
Francezi që disa javë është lojtari që po kërkohet me ngulm nga Chelsea, megjithatë negociatat ngecën pasi Bayerni nuk ishte shumë i interesuar për ta shkëmbyer me Christopher Nkunkun.
Interesimi i Chelseas megjithatë vazhdoi për Tel, me gazetarin Fabrizio Romano që raporton se lojtari i ka kërkuar Bayernit të largohet në ditët e ardhshme.
“Mathys Tel tani ka vendosur të largohet nga Bayerni në afatin e janarit. Plani ishte të qëndronte pas bisedave me Kompany, por zero minuta në tre ndeshjet e fundit ia ndryshoi mendjen”.
“Tel, ka mbi shtatë propozime në formë huazimi, ndërsa Bayern është gjithashtu i hapur për ta shitur përfundimisht”.
“Chelsea pyeti për Tel gjatë bisedave për Nkunkun me Bayernin, por më shumë klube janë të interesuara, garë e hapur”, shkroi ai.
Ndërkohë, 72 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për francezin, që pritet të largohet nga “Allianz Arena”.