Martin Odegaard thyen heshtjen, komenton të ardhmen pas interesimit të PSG-së
Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë për një kohë të gjatë në “Emirates Stadium”, pavarësisht interesimit të PSG-së.
PSG përgatiti një lëvizje befasuese për norvegjezin, pas paraqitjeve të mrekullueshme të këtij të fundit në edicionin 2022/23.
Mirëpo, Arsenal e ka informuar kampionin e Francës që Odegaard nuk është në shitje dhe pavarësisht çfarë do ofertë që marrin nuk do ta pranojnë.
Odegaard në një intervistë për mediumin norvegjez TV 2, ka konfirmuar se nuk po e mendon largimin nga Londra.
“Kam edhe disa vite në kontratë, ndihem mirë dhe shpresoj të qëndroj këtu për një kohë të gjatë”, deklaroi ai.
Arsenal planifikon të nis negociatat për rinovimin kontratës, e cila momentalisht i skadon në vitin 2025.
“Nuk kam biseduar me ta, nuk është detyra ime. Për të qenë i sinqertë , as nuk e di si është situata”.
“Nuk është në kontrollin tim. Tani jam i fokusuar te kombëtarja, prandaj do të pres deri pas verës për të parë nëse duan të bëjnë ndonjë gjë”, nënvizoi ai.
Përndryshe, Odegaard është shpallur si lojtari më i mirë i Arsenalit në edicionin 2022/23, ku pavarësisht përpjekjeve skuadra londineze mbeti pa trofe.