Maroku bën ankesë zyrtare në FIFA: Na u mohuan 2 penallti kundër Francës
Federata e Futbollit e Marokut (FFA) e ka dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA ndaj gjyqtarit Cesar Ramos, duke e akuzuar atë për mohimin e dy penalltive në disfatën 2:0 kundër Francës në gjysmëfinale të Kupës së Botës të mërkurën.
Franca ia shoi ëndrrën Marokut për t’u bërë vendi i parë afrikan që shkon në finale të Kupës së Botës, duke e mundur përmes golave nga Theo Hernandez dhe Randal Kolo Muani.
FFA-ja e ka quajtur të tmerrshëm referimin në këtë ndeshje dhe pretendon se Ramosi ia mohoi Marokut dy penallti të pastra gjatë pjesës së parë të ndeshjes.
Në një komunikatë në uebsajtin e vet, FFA shkroi: “Federata Mbretërore e Futbollit e Marokut proteston fuqishëm kundër drejtësisë në ndeshjen e ekipit kombëtar maroken kundër ekipit kombëtar francez, që u nda nga Cesar Ramos. FFA-ja nuk do të ngurrojë t’i mbrojë të drejtat e ekipit të vet, dhe bën thirrje për marrjen e masave të duhura për padrejtësinë e referimit që u bë ndaj ekipit kombëtar të Marokut në ndeshje kundër ekipit kombëtar francez në gjysmëfinale të Kupës së Botës”.
Franca do të përballet me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës 2022 të dielën në mbrëmje.
Ecuria e Marokut në këtë Botëror ishte historike, pasi ai u bë vendi i parë afrikan, araba apo mysliman që shkon deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
