KATAR 2022| Franca triumfon kundër Marokut, të dielën sfidon Argjentinën në finale - NACIONALE

KATAR 2022| Franca triumfon kundër Marokut, të dielën sfidon Argjentinën në finale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca ka përmbushur pritjet, duke mposhtur Marokun në gjysmëfinale me rezultat të pastër 2:0. Shpresat e marokenëve për finale perënduan me kaq. Të dielën Franca do të luajë ndaj Argjentinës në finale.

Një ndeshje shumë e luftuar, me shumë spastrime topash, duelesh dhe betejë të pakompromis sportiv u zhvillua sonte mes Francës dhe Marokut. Në fund, për herë të dytë rresht ishin francezët ata që siguruan finalen e Botërorit.

Çelësi i suksesit të sontëm për kombëtaren franceze ishte goli i hershëm që arriti ta shënojë dhe aftësia për t’i neutralizuar sulmet kundërshtare. Kampionët në fuqi zhbllokuan rezultatin që në minutën e 5-të.

Pas një lëshimi që bëri mbrojtja marokene, topi shkoi te Mbappe, i cili bëri disa përpjekje për të goditur drejt portës, por që u bllokuan nga mbrojtësit e kombëtares afrikane.

Megjithatë, në një moment të dytë topi kaloi te Hernandez, që me akrobaci pastaj shënoi për 1:0, duke kaluar Francën në epërsi (VIDEO).

Pas këtij momenti ekipi francez u tërhoq mbrapa, për ta administruar kapitalin prej një goli që kishte në favor të vetin. Përzgjedhësi Deschamps ngjashëm si ndaj Anglisë aplikoi lojë kundërsulmuese në pjesën e mbetur të ndeshjes.

Maroku nuk u dorëzua. Provoi me të gjitha forcat që ta rikthente rezultatin në baraspeshë, aq më shumë pasi ishte i përkrahur edhe prej hiç më pak se 35 mijë tifozëve që kishin udhëtuar nga shteti i tyre amë për t’u qëndruar pranë beniaminëve të tyre.

Në minutën e 45-të Maroku iu afrua barazimit. Ishte një goditje e El Yamiq që rrezikoi portën e Lloris, por ky i fundit mrekullisht arriti ta largojë disi, me topin që përfundoi në shtyllë.

Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë, në një sfidë që filloi të merrte minutë pas minuti intensitet më të madh në fushë.

Pjesa e dytë nisi me Francën që në pesë minutat e para filloi të sulmojë, por pa krijuar ndonjë rast që ia vlen të theksohet.

Më pas, ishte sërish Maroku që administroi më shumë posedimin e topit dhe që kërkonte në çdo formë që ta gjente golin e 1:1.

Sido që të jetë, me gjithë tërë angazhimin e pashoq dhe heroik, Maroku nuk ia dali që ta rikthente rezultatin në baraspeshë.

Madje, ishte Franca ajo që ia doli ta shënojë edhe një tjetër gol. Sulmuesi i Eintracht Frankfurt, Kolo Muani, pak sekonda pasi u inkuadrua në fushë, në kontaktin e parë me topin dyfishoi epërsinë, pasi u gjend i vetëm para portës pas një tollovie që u krijua në zonën e marokenëve.

Kështu, me mjaft pragmatizëm të besuarit e Deschamps menaxhuan mjaft mirë epërsinë, duke iu gëzuar në fund fitores prej 2:0, që ia mundëson atyre që ta sigurojnë finalen e dytë rresht, në përpjekje për ta fituar titullin e radhës.

Të dielën tani do të luajnë ndaj Argjentinës, në një ndeshje që pritet me mjaft endje, edhe për shkak se është 90 minutëshi i fundit i Lionel Messit në Botëror dhe mundësia e tij e fundit për ta fituar trofeun e vetëm që i mungon.

Ndërkaq Maroku do të luajë ndaj Kroacisë për vendin e tretë të shtunën me fillim në ora 16:00.

Përmbledhja e ndeshjes Francë - Marok:

Lajme të ngjashme