Marcus Rashford mohon pretendimet se kërkoi 500 mijë funte në javë për të vazhduar me Man Unitedin
Sulmuesi Marcus Rashford ka hedhur poshtë pretendimet se ka kërkuar një kontratë në vlerë 500 mijë funte në javë për të vazhduar me Manchester Unitedin.
25-vjeçari ka qenë ylli i skuadrës angleze këtë edicion duke shënuar 27 gola deri më tani.
Por, anglezi po hynë në vitin e fundit të kontratës që nënkupton se mund të largohet si agjent i lirë në rast që nuk gjen marrëveshje për rinovimin e kontratës.

Të enjten e kaluar u raportua se Rashford ka bërë kërkesë një pagë prej 500 mijë funtesh në javë, me "Djajtë e Kuq" që duan t'i ofrojnë më pak.
Sidoqoftë, Rashford në rrjetin social "Twitter" shkroi: "Vetëm para se të gjithë t'ia nisni të flisni. E tëra është e pakuptimtë".
"Unë dhe klubi kemi qenë respektues dhe kjo do të mbetet njëjtë. Fokusi im është të vazhdoj të luaj mirë në ligë dhe të fitoj trofe".

Ndërsa, anglezi më vonë në "Instagram" shtoi: "Një tjetër histori për agjentët e mi dhe unë që po kemi kërkesa. Është e pakuptimtë. Qëllimi ynë është të përfundojmë sa më lartë në ligë dhe të fitojmë një ose dy kupa".

Manchester Unitedi synon që këtë edicion ta fitojë FA Cup dhe Ligën e Evropës, derisa deri më tani kanë siguruar trofeun e Carabao Cup.