Marca: Reali e Liverpooli do ta diskutojnë të ardhmen e Alexander-Arnoldit
Përpos përballjes së tyre në “Anfield”, Real Madrid e Liverpooli do të diskutojnë të mërkurën edhe për mbrojtësin Trent Alexander-Arnold.
Sipas raportimeve të “Marcas”, skuadra madrilene e ka bërë prioritet afrimin e anglezit për në verë, ndërsa shkak i lidhjeve të mrekullueshme që kanë dy gjigantët evropianë pritet të jetë pikë diskutimi para ndeshjes.
“Liverpool dëshiron ta dijë nëse skuadra e Florentino Perezit dëshiron të nënshkruajë apo jo me anglezin (Trent Alexander-Arnold). Të mërkurën ata do të kenë një takim, ku do të diskutohet për të”, njofton mediumi spanjoll.
Alexander-Arnold do të jetë agjent i lirë në verë ndërsa destinacioni i radhës pritet të jetë “Santiago Bernabeu”, sidomos me këtë të fundit që ka objektiva të mëdha, si për shembull Topi i Artë.
Një transferim i tillë shihet si shumë i mundur shkaku i lidhjeve të ngushta mes dy klubeve. “Marca” raporton se Liverpooli e Reali kalojnë aq mirë, sa që në fillimin e sezonit dikush nga skuadra angleze e kishte kontaktuar direkt gjigantin spanjoll duke e pyetur “A e doni vërtetë Alexander-Arnoldin?”.
Real Madridi është duke vuajtur për një mbrojtës të djathtë shkaku që Dani Carvajal e ka humbur sezonin, ndërsa Lucas Vazquez po dëshpëron me paraqitje.
Raporti shton se nëse Real Madridi konfirmon interesimin atëherë Liverpooli mund ta shet Alexander-Arnoldin qysh në janar, gjithnjë nëse anglezi dëshiron të largohet dhe refuzon rinovimin e kontratës.
Pavarësisht asaj që ndodh për Alexander-Arnold, dy klubet e kanë të qartë se lidhja fantastike do të vazhdojë të jetë e mrekullueshme.