Manchester Unitedit i rikthehen 4 lojtarë në prag të ndeshjes me Sevillën - NACIONALE

Manchester Unitedit i rikthehen 4 lojtarë në prag të ndeshjes me Sevillën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marcus Rashford dhe tre futbollistë të tjerë janë rikthyer në stërvitjen e fundit të Manchester United, në prag të ndeshjes së kthimit çerekfinale kundër Sevillës në Ligën e Evropës të enjten.

Golashënuesi më i mirë i klubit pësoi një dëmtim në ijë në fitoren e fundit 2:0 ndaj Evertonit në Premierligë, duke humbur dy ndeshjet e fundit të United.

Ai tani do të jetë në dispozicion të trajnerit Erik ten Hag për ndeshjen vendimtare kundër Sevillës në Ligën e Evropës të enjten në Stadio Ramon.

Luke Shaw, i cili ka munguar në tri ndeshjet e fundit të Unitedit, gjithashtu është rikthyer në stërvitje së bashku me Marcel Sabitzer, i cili pësoi lëndim pak minuta para fillimit të ndeshjes ndaj Nottingham të dielën.

Tyrell Malacia, i cili gjithashtu mungoi në ndeshjen e së dielës për shkak të lëndimit, u stërvit bashkë me ekipin të mërkurën.

United mbeti i tronditur nga disa lëndime të njëpasnjëshme të lojtarëve në javët e fundit, duke humbur dy qendërmbrojtësit titullarë Lisandro Martinez dhe Raphael Varane në ndeshjen e parë të së enjtes së kaluar kundër Sevillës.

Erik ten Hag ishte pa 10 lojtarë të skuadrës së tij të parë të dielën, me Martinez që nuk do të kthehet fare më këtë sezon, për shkak të një lëndimi në ashtin e shputës së këmbës.

Djajtë e kuq e çuan dëm epërsinë prej dy golave ndaj Sevillës javën e kaluar, e cila është duke kaluar nëpër çaste të mira në këtë kohë edhe në Laliga, duke mposhtur Real Betisin dhe Real Sociedadin dhe duke barazuar me Barcelonën në Camp Nou.

Pas udhëtimit në Spanjë, United udhëton në Wembley për gjysmëfinalen e FA Cup ndaj Brighton. Të enjten e ardhshme, përballet me Tottenhamin, ku një fitore do t’i ndihmonte që të forconin pozicionin e tyre në top katërshe. /Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme