Manchester Unitedi s’do të presë 30 vjet për titull sikur Liverpooli – thotë trajneri Rangnick
Manchester Unitedi nuk do ta përsërisë periudhën e gjatë 30-vjeçare pa titull si rivali i vet Liverpool, por i duhet patjetër ta përmirësojë rekrutimin për të qenë në gjendje të luftojë për tituj, ka thënë trajneri i përkohshëm Ralf Rangnick.
Unitedi, i cili nuk e ka fituar titullin në Premierligë që prej vitit 2013, do të përballet sonte me Liverpoolin në Anfield.
Derisa Liverpooli po lufton për diçka të paparë deri tani, katër trofe, sfida e vetme e Unitedit është ta zërë një vend në top katërshen e Premierligës.
“Nevojitet një rindërtim për të ardhmen. Supozoj se kjo [30 vjet pa titull] nuk do të ndodhë sepse është shumë i qartë ndryshimi që duhet të bëhet”, tha Rangnick.
Liverpooli, i cili e mundi 5:0 Unitedin në ndeshjen e parë në fillim të këtij sezoni, e fitoi Premierligë më 2020 për t’i dhënë fund një dekade trivjeçare pa titull në futbollin elitar anglez. Hera e fundit para 2020-s kur të kuqtë fituan titull lige ishte më 1990.
Emërimi i trajnerit të Ajaxit Erik Ten Hag si njeriu më i fundit që do të përpiqet t’i japë fund ecurisë negative të Unitedit do të konfirmohet gjatë kësaj jave sipas të gjitha gjasave.
Ten Hag do të jetë trajneri i pestë i përhershëm që prej titullit të fundit të Unitedit në Premierligë nën urdhrat e Sir Alex Ferguson.
“Nëse e dini çfarë po kërkoni, do t’ju duhen dy apo tri afate kalimtare të futbollistëve”, tha Rangnick, i cili u emërua trajner i përkohshëm i Unitedit në nëntor.
“Nëse nuk e di çfarë po kërkon, është sikur ta kërkosh gjilpërën në kashtë. Nëse e di çfarë lloji të futbollit dëshiron të luash dhe çfarë llosh profilesh të duhen për secilën pozitë në fushë, atëherë është e rëndësishme t’i gjesh ata lojtarë dhe t’i bindesh të vijnë”, shpjegoi ai.
Rangnick ka gisht në karrierat e gjashtë lojtarëve të tanishëm të Liverpoolit.
Ai punoi me Roberto Firminon në Foffenheim dhe Joel Matipin në Schalke. Ndërsa, si drejtor sportiv në klubet e Red Bull, Rangnick i bleu yjet si Sadio Mane, Naby Keita, Ibrahima Konate dhe Takumi Minamino.
“Nuk është diçka e koklavitur. Nuk është shkencë. Liverpooli përfundoi sezonin në vendin e tetë kur Jurgen Klopp erdhi. Pastaj, atij iu deshën dy afate kalimtare. Ata i morën lojtarët e duhur dhe i hoqën qafe lojtarët e duhur. Prandaj janë ku janë sot”, nënvizoi ai.