Manchester Unitedi fiton lehtësisht ndaj Readingut, kualifikohet në 1/8 e FA kupës - NACIONALE

Manchester Unitedi fiton lehtësisht ndaj Readingut, kualifikohet në 1/8 e FA kupës

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Manchester Unitedi ka arritur të shënojë fitore ndaj Readingut me rezultat 3:1, për t’u kualifikuar në 1/8 e finales së FA Kupës dhe më meritori për këtë fitore ishte braziliani, Casemiro, që shënoi dy gola.

Pasi fitoi në Carabao ndaj Nottingham Forest, të drejtuarit e Erik ten Hag, e kanë vazhduar formën e mirë edhe në kupën tjetër angleze, ani pse në Premierligë nuk dinë për fitore në dy ndeshjet e fundit.

Sa i përket ndeshjes, djajtë e kuq ishin dominues total të ndeshjes, me një posedim të topit prej 78%, ndërsa skuadra nga Championship ishte thjesht inferiore në këtë takim.

Image

Edhe pse ishin skuadra më e mirë në fushë, Unitedi nuk arriti të shënonte gol në pjesën e parë. Në fakt ata shënuan një herë, por goli u anulua nga VAR-i.

Të gjithë golat e takimit, gjithsej katër, u shënuan në pjesën e dytë.

Ishte Casemiro që shënoi për golin e parë të takimit në minutën e 55-të, pas asistimit të Antonyt.

Tre minuta më vonë, ishte sërish braziliani që shënoi, për golin e tij të dytë personal dhe të dytin për djajtë e kuq dhe sërish asistues ishte një brazilian, kësaj radhe Fred.

Për të përkeqësuar gjërat më shumë për mysafirët u përkujdes Andy Carroll që pas dy kartonëve të verdhë brenda pesë minutave u përjashtua nga ndeshja.

Me diferencën numerike në fushë, Manchester Unitedi e shfrytëzoi si më mirë, pasi shënoi golin për 3:0 me anë të Fred në minutën e 66-të.

Krejt çka arriti Reading të bënte ishte të shënonte golin ngushëllues, ku me anë të Amadou Mbengue shënuan për rezultatin përfundimtar të takimit, 3:1.

Tani djajtë e kuq janë në 1/8 e finales së FA kupës, gjithashtu janë në garë për kupën Carabao, ndërsa në Premierligë mbetën pak larg nga lideri, Arsenal, por janë në rrugë të mirë, për të bërë një sezon nga hiçi në të jashtëzakonshëm.

Lajme të ngjashme