Manchester United turpërohet në Danimarkë, mposhtet nga Copenhagen
Manchester United ka bërë një tjetër hap fals në garën për kualifikimin tutje, duke pësuar humbje në udhëtim te Copenhagen.
“Djajtë e Kuq” ani pse ishin favorit pësuan humbje 4:3 duke rrezikuar kështu seriozisht shansin për ta siguruar vendin e dytë në tabelë.
Man United e nisi për mrekulli takimin me Rasmus Hojlund që realizoi nga afërsia pas një asistimi të Scott McTominay (3’).
Danezi u gjend sërish në vendin e duhur duke përfituar nga topi i kthyer i goditjes së Garnachos për ta dyfishuar rezultatin (28’).
Sidoqoftë, situata u përkeqësua për Man Unitedin sapo Marcus Rashford mori direkt karton të kuq pas një ndërhyrje të rëndë (42’).
Pas kësaj, Copenhagen realizoi dy gola të shpejtë në përfundimin e pjesës së parë për ta bërë më të zjarrtë takimin.
Fillimisht, Mohamed Elyounoussi kontrolloi për mrekulli asistimin e Gonçalves për ta ngushtuar epërsinë (45’).
Ndërsa nëntë minuta më vonë, Gonçalves realizoi nga pika e bardhë pasi Harry Maguire preku topin me dorë (45+9’).
Man United kaloi sërish në epërsi me Bruno Fernandes që realizoi nga 11-metërshi pasi Vavro preku topin me dorë brenda zonës (69’).
Sidoqoftë, vendasit u kthjellen sërish. Këtë herë Lukas Lerager barazoi rezultatin pas një harkimi fantastik të Rasmus Falk (83’).
Për përmbysjen e madhe u përkujdes Roony Bardghi me një goditje të fuqishme (87’).
Man United tani renditet në pozitën e katërt me tre pikë, derisa Copenhagen në vendin e dytë me katër sosh.
Për ta siguruar kualifikimin tutje, “Djajtë e Kuq” duhet ta mposhtin Galatan dhe Bayern Munichun dhe të shpresojnë që Copenhagen lëshon pikë në dy ndeshjet e mbetura