Manchester United në "sulm" për Gakpon, gati ofertën e parë gjatë janarit
Manchester United është i gatshëm të bëjë një ofertë gjatë afatit kalimtar të janarit për të nënshkruar me talentin holandez, Cody Gakpo.
Gakpo ka impresionuar në Kupën e Botës dhe PSV raportohet se është e hapur ta shesë për një vlerë rreth 50 milionë euro.
"Djajtë e Kuq" ishin të interesuar për të nënshkruar me 23-vjeçarin gjatë afatit kalimtar veror, por në fund zgjodhën të nënshkruajnë me Antony nga Ajaxi.
Gjiganti anglez është i interesuar për të nënshkruar me një sulmues pas largimit të Cristiano Ronaldos.
Gakpo momentalisht është bërë top prioritet për Man Unitedin dhe sipas "The Sun", ai gjithashtu është i interesuar për ta kompletuar këtë transferim.
Holandezi që ishte kyç në fitoren e kombëtares së tij ndaj ShBA-së në raundin e 16-të, do të preferonte të luante si një sulmues pavarësisht që ka luajtur si anësor, apo edhe si mesfushor me tipare ofensive për klubin dhe shtetin e tij.
Dy klubet ende nuk kanë nisur negociatat, mirëpo trajneri Erik ten Hag dhe Gakpo kanë të njëjtin agjent, andaj marrëveshja pritet të realizohet brenda një kohë të shkurtër në muajin e ardhshëm.
Nënshkrimi i tij gjatë janarit mund të jetë më i lehtë për Man United, pasi siç raportohet edhe Real Madrid është duke e vëzhguar lojtarin dhe mund të bëjnë ndonjë lëvizje gjatë afatit kalimtar veror.
Kujtojmë, skuadra angleze ka nevojë për një sulmues pasi tashmë e kanë larguar Cristiano Ronaldon, shkaku i intervistës tronditëse që dha ky i fundit.
Portugezi në muajin e kaluar deklaroi se Man United e ka tradhtuar, duke kritikuar trajnerin Erik ten Hag, ish trajnerin Ralf Rangnick dhe drejtuesit e bordit të gjigantit anglez.
