Manchester United në krizë: Lista e lojtarëve të lënduar rritet në 7
Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, e ka pranuar se Lisandro Martinez, Rafael Varane dhe Marcus Rashford pritet të mungojnë në ndeshjen e kthimit ndaj Sevillës në Ligën e Evropës, për shkak të lëndimeve.
Qendërmbrojtësit Martinez dhe Varane u lënduan në barazimin e Unitedit 2:2 në ndeshjen e parë çerekfinale kundër Sevillës në Old Trafford të enjten.
Ata i bashkohen Rashfordit, Luke Shaw, Scott McTominay, Alejandro Garnacho dhe Donny van de Beek në listën e lojtarëve të lënduar momentalisht.
Një natë fantastike në Old Trafford u kthye në zhgënjim, pasi që Unitedi e çoi dëm epërsinë prej 2:0 duke shënuar dy autogola në 10 minutat e fundit të ndeshjes së parë të çerekfinales së Ligën e Evropës ndaj Sevillës.
Pasi Varane u largua pas pjesës së parë detyrimisht pasi u lëndua, Martinezin e bartën jashtë fushës dy bashkatdhetarët e vet argjentinas që luajnë për Sevillën Acuna dhe Montiel, pasi u rrëzua në tokë pa lojtarë rreth tij.
Edhe pse Ten Hag nuk mund të konfirmonte lëndimet e tyre ai nuk dukej shumë i shqetësuar dhe këmbënguli se kishte zëvendësues cilësor në skuadrën e tij.
“Kur Martinez u rrëzua në tokë pa asnjë kundërshtarë të përfshirë, nuk duket aq mirë. Nuk e di se çfarë është por nuk është thembra e Akilit. Jo në atë pjesë. Varane u lëndua. Ne kemi zëvendësime shumë të mira për Martinez për shembull Harry Maguire, Victor Lindelof, Luke Shaw, kështu që kemi lojtarë që mund t’i zëvendësojnë ata. Por sigurisht është një humbje”, tha Ten Hag pas ndeshjes.

Sipas Ten Hag, Varane dhe Martinez do të mungojnë në ndeshjen e së dielës kundër Nottingam Forest.
Trajneri i djajve të kuq bëri disa ndryshime befasuese në ekip gjatë ndeshjes, duke i larguar Bruno Fernandesin dhe Antony, të dy me kartonë të verdhë, nga frika se do të ndëshkoheshin me kartonin e dytë të verdhë dhe pasi kishte shfrytëzuar të pesë ndryshimet, ai mbeti pa zëvendësime kur Martinez u lëndua dhe i duhej të largohej.
Erik ten Hag shpjegoi arsyet e ndryshimeve gjatë ndeshjes dhe tregoi më shumë për gjendjen shëndetësore të Marcus Rashford.
“Për Brunon, mora një paralajmërim nga gjyqtari gjithashtu edhe për Antonyn, më duhej të bëja ndryshime, nuk kishte zgjidhje tjetër. Është një shans që Rashford të kthehet të enjten por nuk mund ta konfirmoj në këtë moment.” /Orselina Lazraj/
