Manchester United në frymën e fundit merr barazimin ndaj Chelseat
Me plot meritë ndeshja mes Chelseat e Manchester United ishte ndeshja kryesore e javës së 13-të në Premierligë. Rezultati përfundimtar ishte 1:1, por loja e bukur e me raste nuk mungoi, me një dominim të theksuar të skuadrës së udhëhequr nga Erik ten Hag.
Të kaltrit e Londrës po vinin në këtë ndeshje nga një barazim në mesjavë me Brentfordin pa gola, ndërsa djajtë e kuq nga një fitore shumë e rëndësishme kundër Tottenham Hotspur me rezultat 2:0.
Manchester United kishte dominimin në ndeshje edhe me posedimin e topit edhe me rastet e krijuara, ku sërish hero për Chelsean ishte portieri spanjoll, Kepa Arrizabalaga, por ky i fundit nuk arriti që deri në vërshëllimën e fundit ta mbajë portën e paprekur.
Ishte Chelsea që shënoi fillimisht për 1:0 nga pika e penalltisë, nëpërmjet Jorginhos. Penallti kjo e fituar nga i sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja, që hyri në ndeshje në pjesën e dytë.
Skuadra e drejtuar nga Graham Potter, nuk arriti që ta mbante rezultatin deri në fund, ku Casemiro shënoi një gol me kokë në minutat shtesë për një barazim shumë të vlefshëm të djajve të kuq.
Ky ishte goli i parë i Casemiros me fanellën e Manchester United në Premierligë dhe ndoshta nga më të rëndësishmit, pasi shpëtoi skuadrën nga humbja.
Ky është barazimi i dytë radhazi për Chelsean në Premierligë, dhe në pesë ndeshjet e fundit në elitën e futbollit anglez nuk di për humbje apo ndryshe thënë me ardhjen e trajnerit të ri, Chelsea nuk ka humbur asnjë ndeshje.
Manchester United në anën tjetër që nga humbja ndaj Manchester Cityt, ku u turpëruar me rezultat 6:3, ka hyrë në një seri të rezultateve të mira dhe pa humbje ku në të gjitha garat ka arritur katër fitore dhe dy barazime në gjashtë ndeshjet e fundit.

Chelsea mbanë pozitën e katërt në tabelë me 21 pikë të grumbulluara në 11 ndeshje të zhvilluara, ndërsa Manchester United ka një pikë më pak në po aq ndeshje.