Manchester United - Manchester City: Statistikë, analizë dhe formacionet e mundshme
Manchester United do të jetë nikoqir i Manchester Cityt, në kuadër të kryederbit të xhiros së 20-të në Premierligë.
Si "Djajtë e Kuq" ashtu edhe "Qytetarët" po kalojnë në formë të shkëlqyer në kampionatin anglez, andaj do të provojnë me gjithçka që të arkëtojnë pikët e plota në "Old Trafford".
Më poshtë mund të lexoni me të rejat më të fundit mbi dy skuadrat:
Manchester United
Mbrojtësi Diogo Dalot pësoi lëndim gjatë fitores së fundit ndaj Charlton Athletic në kuadër të Carabao Cup, sidoqoftë portugezi pritet ta nis takimin nga minuta e parë.
Raphael Varane gjithashtu është i gatshëm, derisa Lisandro Martinez nisi për herë të parë si titullar pas pushimit të Kupës së Botës. Jadon Sancho vazhdon të mungojë, kurse Donny van de Beek tashmë ka humbur tërë sezon.
Kështu, Diogo Dalot dhe Luke Shaw pritet të nisin në krahët e mbrojtjes, me Casemiron, i cili ka dëshmuar shpesh herë kualitetin pritet të jetë në pozitën e mesfushorit mbrojtës.
Pranë brazilianit, mesfusha do të jetë e ndërtuar nga Christian Eriksen dhe Bruno Fernandes, me këtë të fundit që do të luajë në rolin e numrit 10 (mesfushor sulmues).
Në anën tjetër, Antony i cili ka shkëlqyer në këto sfidat e fundit do ta mbajë pozitën e anësorit të djathtë, me Marcus Rashford në të majtin dhe Anthony Martial në qendër.
Formacioni i mundshëm (4-2-3-1): De Gea; Dalot, Varane, Martinez, Shaw; Casemiro, Eriksen; Antony, Fernandes, Rashford; Martial.

Manchester City
Trajneri Pep Guardiola do të bëjë një numër ndryshimesh nga ai formacioni i fundit kundër Southamptonit, ku pësuan humbje më herët këtë javë.
Ederson padyshim do të jetë zgjedhja në portë, me "Qytetarët" që do të luajnë me formacionin klasik 4-3-3.
Ruben Dias do të mungojë shkaku i lëndimit, por John Stones pritet të jetë i gatshëm pranë Aymeric Laporte. Joao Cancelo gjithashtu mund të rikthehet në formacionin bazë pavarësisht spekulimeve mbi të ardhmen e tij.
Rodri do të rikthehet në "bazë" pranë Kevin de Bryune dhe Bernardo Silva, dy mesfushorët kreativë që do të mundohen ta kenë posedimin gjatë tërë kohës
Në aspektin sulmues, Riyad Mahrez që ka qenë i shkëlqyer këto ndeshjet e fundit pritet të rikthehet si titullar, pranë Jack Grealish i cili do të luajë para Phil Foden dhe kuptohet Erling Haaland në qendër.
Formacioni i mundshëm (4-3-3): Ederson; Walker, Stones, Laporte, Cancelo; Silva, Rodri, De Bruyne; Mahrez, Haaland, Grealish.

Disa statistika interesante:
Man United ka humbur më së shumti ndeshje si nikoqir ndaj Manchester Cityt se kundër çdo kundërshtari tjetër (8). Askush nuk i ka mposhtur "Djajtë e Kuq" më shumë se "Qytetarët" në të gjitha garat (18 herë, aq humbje kanë pësuar nda Chelseas dhe Liverpoolit).
Man United ka pësuar 12 gola në tre ndeshjet e fundit në Premierligë ndaj Cityt, duke përfshirë gjashtë në "Etihad Stadium" tetorin e kaluar. Kjo është aq sa ka pësuar City në 12 takimet e fundit mes tyre.
Marcus Rashford ka shënuar në tre paraqitjet e fundit në Premierligë dhe po synon të katërtin, gjë që nuk e ka bërë që nga janari i vitit 2019. Sidoqoftë, ai nuk ka realizuar në pesë ndeshjet e fundit ndaj Man Cityt, duke menaxhuar vetëm një gjuajtje në portë.