Manchester United heq dorë nga transferimi i Harry Kane
Manchester United e ka përfunduar interesimin për transferimin e mundshëm të sulmuesit së Tottenhamit, Harry Kane.
Anglezi ishte zgjedhja e parë e trajnerit Erik ten Hag, duke qenë prioriteti kryesor i skuadrës angleze për në afatin kalimtar veror.
Sidoqoftë, tani Man Unitedi është larguar nga gara pasi janë pajtuar se kushtet e Tottenhamit janë tejet të shtrenjta për t’u plotësuar.
“The Guardian” raportoi se Ten Hag është i zhgënjyer me klubin që nuk po arrijnë të nënshkruajnë me anglezin, por e kupton se Man Unitedi s’mund të paguajë më shumë se ç’duhet për një 29-vjeçar që i skadon kontrata pas një viti.
Presidenti i Tottenhamit Daniel Levy është duke bërë të pamundurën për ta mbajtur Kane pavarësisht që i skadon kontrata pas 12 muajve dhe është duke provuar ta bind për rinovimin e kontratës.
Spurs vazhdojnë ta vlerësojnë Kane rreth 100 milionë euro, çmim i cili po i shtyn rivalët të shikojnë opsione tjera.
Real Madrid gjithashtu e kishte prioritet nënshkrimin e Kane për ta zëvendësuar Karim Benzeman, por zhvillimet e fundit rreth Kylian Mbappes ia kanë ndryshuar planet.
Man United në anën tjetër, është tani i fokusuar për të nënshkruar me yllin e Napolit, Victor Osimhen që ka pasur rol kyç në suksesin e klubit italian edicionin e kaluar.
Sidoqoftë, edhe nënshkrimi i mundshëm me Osimhen nuk do të jetë i lehtë pasi Napoli e vlerëson rreth 130 milionë funte.
Përpos Osimhen, në këtë listë ndodhet edhe ylli i Atalantas, Rasmus Hojlund, i cili shënoi nëntë gola në 32 ndeshjet e para në sezonin e parë në Serie A.