Manchester City ‘shkatërron’ Burnleyn e Aro Muricit, kualifikohet në gjysmëfinale të FA Kupës
Manchester City ka shënuar fitore të thellë ndaj Burnleyt të Aro Muricit me rezultat 6:0 në çerekfinale të FA Kupës, për t’u bërë skuadra e parë që kualifikohet në gjysmëfinale të kësaj gare.
Erling Haaland sërish ishte i pandalshëm, duke shënuar het-trik, teksa portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, nuk luajti fare në këtë takim, si zakonisht, pasi ai paraqitet për Burnleyn vetëm në Championship, ndërsa portieri i dytë në FA Kupë.
Në pjesën e parë u shënuan dy gola, të cilat mbajtën firmën e Haaland.
Fillimisht në minutën e 32-të hapi serinë e golave për 1:0.
Tre minuta më vonë, ylli norvegjez shënoi sërish për 2:0.
Pjesa e parë përfundoi kështu, ndërsa në të dytën, 22-vjeçari kompletoi het-trikun e tij, duke shënuar të tretin personal në këtë takim për rezultatin 3:0.
Manchester City vazhdoi të shënonte, ku tre golat e ardhshëm u shënuan në intervalin prej 11 minutash.
Ishte Julian Alvarez që shënoi për 4:0 në minutën e 62-të, teksa në të 68-tën shënoi zëvendësuesi i Haaland, Cole Palmer për 5:0.
Ylli i ri argjentinas, Alvarez, shënoi edhe një gol atë të rezultatit përfundimtar në minutën e 73-të për 6:0.
Kështu Manchester City me këtë fitore bëhet skuadra e parë që arrin gjysmëfinalen e FA Kupës, ndërsa tri ndeshjet e tjera çerekfinale zhvillohen nesër, dhe menjëherë pas ndeshjes së fundit do të hidhet shorti për gjysmëfinalet.