Manchester City në frymën e fundit shënon fitore ndaj Fulhamit, Haaland vendimtar
Kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester City, me shumë mund ka arritur të shënojë fitore ndaj Fulhamit, me një gol në minutat shtesë nga penalltia që mbajti firmën e Erling Haaland, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 2:1.
Edhe në këtë ndeshje si në dy ndeshjet e kaluara, Pep Guardiola, filloi ndeshjen pa sulmuesin norvegjez dhe golashënuesin më të mirë në ligë, Erling Haaland, i cili u inkuadrua më vonë gjatë pjesës së dytë në kërkim të një fitoreje.
Qytetarët ishin shumë më të mirë në fillimin e ndeshjes, duke kontrolluar tempon në të gjitha pjesët e fushës.

Kjo lojë e mirë u shpërblye me golin e minutën së 17-të nga i riu argjentinas, Julian Alvarez, i cili shënoi me një goditje të fuqishme pas asistimit të mesfushorit gjerman, Gundogan.
22-vjeçari po e zëvendëson mjaft mirë norvegjezin, që edhe pse po ka shumë pak minuta në këmbë, ka arritur të shënojë tre gola.
Nuk vonoi shumë kundërpërgjigja e skuadrës së promovuar sivjet në elitën e futbollit anglez.
Një penalti e shkaktuar nga Joao Cancelo si lojtar i fundit i shkaktoi shumë dëm skuadrës, që përveç goditjes nga 11 metra, u ndëshkua direkt me të kuq mbrojtësi portugez, pasi ishte lojtari i fundit.
Nga penalltia u tregua i saktë mesfushori brazilian, Andreas Pereira, që çoi topin në krahun e kundër të Ederson Moares për rezultatin 1:1 në minutën e 28-të.
Ky ishte rezultati i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë u inkuadrua në lojë Erling Haaland, saktësisht në minutën e 64-të që zuri vendin e shënuesit të vetëm për qytetarët, Alvarezit.
Ndikimi i tij u vu në pah menjëherë, pasi që shënoi një gol me kokë në minutën e 75-të, por që goli më pas u anulua për pozitë jashtë lojë nga VAR.
Nuk kishte si të mungonte në listën e golashënuesve sulmuesi norvegjez, ai çoi topin prapa krahëve të Bern Lenos nga penalltia në minutat shtesë të takimit, pasi paraprakisht, De Bruyne fitoi një të tillë.
Manchester City kështu triumfoi me rezultat 2:1 dhe rrëmben kreun e tabelës përkohësisht, deri në zhvillimin e ndeshjes që ka më pak Arsenali, i cili takohet nesër me Chelsean.
